Banorët e zonave të përmbytura duhen mbështetur


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) po ndjek me vëmendje situatën e rënduar në zonat e përmbytura të vendit nga rreshjet e kohëve të fundit, si dhe reagimet e veprimet e strukturave përgjegjëse të shtetit. Sipas informacioneve që ofrojnë mediat e shkruara dhe ato elektronike, janë përmbytur rreth 5000 ha tokë, 4.500 shtëpi dhe janë dëmtuar shumë pasuri të tjera publike e private.

Përmbytje të tilla kanë ndodhur shpesh vitet e fundit, por me keqardhje vërejmë se strukturat e shtetit, ndonëse premtojnë që do të marrin të gjitha masat për parandalimin e përsëritjes së fenomenit, se do të zbatojnë projekte për thellimin e pastimin e kanaleve kulluese dhe mbajtjen në efiçencë të plotë të hidrovoreve, përsëri situatat përsëriten, duke u shkaktuar dëme të të madha shëndetit e pasurive të shtetasve, që banojnë në këto zona. Faktet tregojnë se deri tani nuk janë kryer investime serioze dhe nuk i është kushtuar vëmendja e duhur këtij problemi. Premtimet për parandalimin e situatave të tilla nuk janë mbajtur dhe mbështetja e shtetit për shtetasit e dëmtuar nga këto fenomene të natyrës nuk ka qenë në nivelin e duhur, ndërkohë që askush nuk eshtë vënë përpara përgjegjësisë për moskryerjen e detyrës në këtë drejtim.

KShH përshëndet nismën e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Mjedisit, z. Edmond Panariti, i cili urdhëroi krijimin e shtabit të emergjencës në Qarkun e Lezhës, duke u vënë personalisht në krye të tij. Ne do të ndjekim me vëmendje veprimtarinë e këtij shtabi për përmirësimin e situatës dhe parandalimin e përmbytjeve në të ardhmen, duke shpresuar që shtabit do t’i vihen në dispozicion fondet e nevojshme për plotësimin e detyrave, dhe se mbeshtetja e bashkëpunimi i pushtetit vendor dhe e komunitetit përkatës nuk do të mungojnë.

KShH është tepër e shqetësuar, veçanërisht, për jetën dhe shëndetin e shtetasve, të cilave u janë përmbur banesat. Është e nevojshme që ato të mbështeten, duke u ofruar ndihmesa e duhur nga pushteti vendor dhe ai qendror, për të kaluar këtë situatë sa më lehtësisht, gjë për të cilën opinion publik ende nuk ka marrë informacion.

Nisur nga fakti se të dhënat sinoptike janë shqetësuese edhe për ditët në vazhdim, duke paralajmëruar rreshje shiu e dëbore në vend, i bëjmë thirrje strukturave shtetërore përkatëse, por dhe vetë shtetasve që jetojnë në zonat e përmbytura ose të rrezikuara, që të marrin masat e nevojshme, pa humbur kohë, për të parandaluar dëme më të rënda për jetën e shëndetin e shtetasve, pasurinë e tyre dhe pasurinë publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
November
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
TOP