Cënohet siguria në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Shën Koll dhe Vaqarr


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vëren se ngjarjet e raportuara në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Shën Koll dhe Vaqarr kanë cenuar sigurinë e personave të privuar nga liria dhe personelit që kujdeset për këta persona, në këto institucione.

Pavarësisht se mënyra dhe rrethanat në të cilat kanë ndodhur këto dy ngjarje janë të ndryshme, KShH vëren se jeta dhe shëndeti i personave të privuar nga liria është vënë në rrezik, duke shkaktuar një të dënuar të vdekur në Institucionin e Shën Kollit dhe një të dënuar të plagosur në Institucionin e Vaqarrit.

Për KShH-në, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë të rëndësisë së veçantë dhe rrjedhimisht masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar këto incidente duhet të jenë të tilla që t’i përgjigjen me efektivitet mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të personave të privuar nga liria si dhe administratës së burgjeve. Nga ana tjetër, këto masa nuk duhet të privojnë personat të cilëve u është kufizuar liria, nga gëzimi dhe ushtrimi efektiv i të drejtave të sanksionuara në legjislacionin përkatës.

KShH vëren se edhe në të kaluarën në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale janë raportuar incidente sporadike (të ngjashme ose të ndryshme) të cilat e kanë cenuar sigurinë në burgje. KShH vlerëson se, raste të tilla duhet jenë kambanë për autoritetet përgjegjëse, e cila dikton nevojën për të përmirësuar sigurinë në këto institucione.

KShH i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe strukturave të policisë së shtetit të reflektojnë sa duhet për këto incidente, duke marrë masat e nevojshme jo vetëm në institucionet e prekura por edhe në institucione të tjera ku mund të ndodhin incidente të ngjashme ose të tjera si këto. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të bëjë inspektime tematike në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të mbikëqyrur dhe vëzhguar të gjithë elementët e sigurisë në këto institucione si dhe për të evidentuar gjithashtu problematikat masat që duhet të merren për përmirësimin e kësaj sigurie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit