Deklaratë për shtyp: Në ditën botërore të lirisë së medias


Asambleja e Përgjitshme e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar datën 3 Maj si Ditën Botërore të Lirisë së Medias, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e gëzimit dhe ushtrimit të kësaj lirie dhe për t’i kujtuar qeverive detyrën e tyre për të respektuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, të garantuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Sipas Freedom House, liria globale e shtypit ra në pikën më të ulët në 13 vjet në vitin 2016, mes kërcënimeve të paprecedentë për gazetarët dhe mediat në demokracitë e mëdha dhe lëvizjet e reja nga shtetet autoritare për të kontrolluar mediat. Vetëm 13 % e popullsisë së botës gëzon një shtyp të lirë. Raporti i fundit për vitin 2017 i Freedom House e rendit Shqipërinë me të njëjtin numër pikësh si në vitin e kaluar (51). Ndërkohë, në indeksin botëror të lirisë së medias, Reporterët pa Kufij e rendisin Shqipërinë në vendin e 76 nga vendi i 82 që mbante një vit më parë, por ndërkohë e klasifikuar me të njëjtin numër pikësh, 29.92, çka evidenton se nuk është shënuar progres për respektimin dhe promovimin e kësaj lirie në shkallë vendi.

Duke marrë shkas nga situata në vendin tonë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Këshilli i Medias bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe sensibilizim me rastin e ditës botërore të lirisë së medias në vendin tonë, me qëllim që të synohet drejt:

  • Krijimit të një ambienti të sigurtë dhe të shëndetshëm për median ku dhënia e informacionit dhe lajmeve për publikun të realizohet me panashmëri, profesionalizëm dhe t’i përgjigjet realitetit, jashtë çdo lloj ndikimi politik apo ekonomik;
  • Minimizimit të ndërhyrjes së shtetit në çështjet e medias dhe për aq sa lejohet nga kufizimet e vendosura në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Kushtetutën e RSH dhe në ligj;
  • Garantimit dhe respektimit të integritetit moral dhe fizik të gazetarëve si dhe të drejtave të tyre me karakter socialo – ekonomik;
  • Hetimit të plotë, të gjithëanshëm dhe me objektivitet të çdo rasti që lidhet me dëmtimin e shëndetit të gazetarëve për shkaqe që lidhen me kryerjen e detyrës prej tyre;
  • Forcimit të mëtejshëm të medias investigative, si një mjet i besueshëm për të denoncuar fakte për problemet e lidhura me mirëqeverisjen, mbrojtjen sociale-ekonomike të grupeve në nevojë, korrupsionin, gjyqësorin dhe gëzimit apo ushtrimit të çdo të drejte dhe lirie të sanksionuar në legjislacionin në fuqi;
  • Rritjes së vëmendjes së medias ndaj çështjeve me natyrë sociale dhe për më shumë promovim të të drejtave dhe barazisë së grupeve në nevojë të shoqërisë tonë si personat me orientim të ndryshëm seksual, komunitetit rom, egjyptian, etj.
  • Shmangies së gjuhës së urrejtjes dhe terminologjisë së papërshtatshme që nuk i përgjigjet etikës, paanshmërisë dhe profesionalizmit që duhet të karakterizojë gazetarinë dhe figurën e gazetarit.

Në raportet e fundit të OSBE/ODIHR-it për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore të zhvilluara në vend është evidentuar se prodhimi nga vetë partitë politike të filmimeve të fushatës në lajme e televizione, si materiale të regjistruara paraprakisht ose si transmetim i drejtpërdrejtë nga aktivitetet e fushatës i jep partive politike akses të drejtpërdrejtë në lajme dhe zbeh ndarjen strikte midis përmbajtjes editoriale dhe reklamës politike. Sipas OSBE/ODIHR kjo kërkon rishikim të Kodit Zgjedhor dhe të vendimit të KQZ-së të vitit 2013. Në mënyrë analoge, duke marrë shkas nga transmetimi i kronikave të lajmeve të regjistruara paraprakisht nga institucione publike apo subjekte të tjera jo publike me kaseta të gatshme filmike, KShH dhe Këshilli i Medias i bëjnë thirrje medias të shmangë përdorimin e tyre apo kopjimin e lajmeve/informacioneve në mënyrë mekanike pasi në këtë mënyrë publiku nuk informohet me realizëm, paanshmëri, objektivitet dhe profesionalizëm.

Forumi rajonal i shtetit të së drejtës për Europën Juglindore, i mbajtur në Mars të këtij viti në Tiranë, evidentoi se Shqipëria, në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit nuk ka patur jurisprudencë të mirëfilltë për lirinë e shprehjes në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë drejtim, nevojitet më shumë ndërgjegjësim për aktorët e sistemit të drejtësisë. KShH dhe Këshilli i Medias bëjnë thirrje për më shumë aktivizim nga organizatat e medias dhe organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat dhe liritë e gazetarëve, duke i inkurajuar të kërkojnë në rrugë gjyqësore rivendosjen e të drejtave të shkelura. Kjo do të kontribuonte në krijimin e praktikave pozitive në jurisprudencën vendase dhe atë të GJEDNJ-së, sa herë një gazetari i mohohet ose i cenohet një e drejtë që është e lidhur me ushtrimin e detyrës së tij/saj në vendin tonë.

Së fundmi, KShH dhe Këshilli i medias bëjnë thirrje për më shumë kujdes e maturi në gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve, e cila nuk duhet të përçojë intimidim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë tek ta, çka cenon lirinë e shprehjes dhe ndikon në uljen e besimit të publikut tek media e lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
November
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
TOP