Deklaratë për shtyp – Shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), dje në datën 8 Qershor 2017 realizoi një vëzhgim në burgun e Peqinit nëse ishte zbatuar drejt Ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Sipas nenit 2, pika 4, nuk kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtëpërdrejtë shtetasit e dënuar me burgim me vendim të formës së prerë për kryerjen e vepre penale që parashikohet nga neni 2, pika 1, germat “a” dhe “b”, i Ligjit të mësipërm.

Gjatë verifikimit rezultoi se, këta persona nuk ishin përfshirë në listën e zgjedhësve të dt. 25 Qershor 2017. Ajo çka konstatuam me shqetësim është se në këtë listë, në kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës dhe të Ligjit nr. 138/2015 nuk ishin përfshirë edhe 23 të paraburgosur, të akuzuar për veprat penale të parashikuara nga neni 2, pika 1, germat “a” dhe “b”, të këtij ligji. Kjo do të thotë se ishin përjashtuar nga e drejta për të votuar edhe një pjesë e të paraburgosurve. Një veprim i tillë bie ndesh edhe me nenin 30, të Kushtetutës ku thuhet se: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Në përgjigje të pyetjes sonë, drejtuesit e burgut Peqin deklaruan se, për zbatimin e Ligjit nr. 138/2015 nuk kemi patur asnjë udhëzim prandaj në listë janë përfshirë të gjithë ata persona të dënuar ose të paraburgosur që vuajnë dënimin ose që akuzohen për një nga veprat penale që parashikon Ligji nr. 138/2015.

KShH shpreh jo vetëm shqetësimin e vet, por e ndjen për detyrë të evidentojë faktin se, në rastin konkret është shkelur në mënyrë flagrante Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor. Është cënuar në mënyrë arbitrare një nga të drejtat themelore të shtetasve që është e drejta e për të votuar.

Për KShH, megjithëse listat përfundimtare të zgjedhësve janë shpallur është e domosdoshme që, në përputhje me ligjin, të krijohet mundësia që të paraburgosurit që janë përjashtuar nga lista e zgjedhësve të votojnë.

Veç kësaj, KShH, duke marrë shkas nga ky vëzhgim dhe nga deklaratat e drejtuesve të këtij burgu, ka të drejtë të ngrejë dyshimin e arsyeshëm se shkelje të kësaj të drejte mund të kenë ndodhur edhe në burgje të tjera të vendit.

Është kjo arsyeja që, KShH e sheh të nevojshme t’i sugjerojë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, drejtuesve të burgut Peqin dhe organit të qeverisjes vendore në juridiksionin e të cilit ndodhet ky burg që të angazhohen në rivendosjen e të drejtës së shkelur. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të verifikojë këtë çështje në shkallë vendi sepse fenomeni i burgut Peqin në këtë apo atë masë mund të ketë ndodhur edhe në burgje të tjera.

KShH i sugjeron KQZ-së si organi më i lartë në administrimin e zgjedhjeve që, në përmbushje të kompetencave të tij dhe në mënyrë të veçantë, të neneve 50, pika 3 dhe 61, të Kodit Zgjedhor të mbikqyrë, të ushtrojë kontroll dhe të udhëzojë që personat e paraburgosur që nuk janë përfshirë në listën e zgjedhësve, të ushtrojnë të drejtën për të votuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2019 >
October
MoTuWeThFrSaSu
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031   
TOP