Deklaratë për shtyp – Të mos pengohen anëtarët e Komisioneve Zgjedhore të Administrimit Zgjedhor (KZAZ)


Në njoftimin për median të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ-së), të dt. 10 Qershor 2017 shprehet shqetësimi se drejtuesit e administratës shtetërore pengojnë komisionerët që janë në mardhënie pune të angazhohen në detyrën e anëtarëve të KZAZ-ve, gjë që vështirëson administrimin e procesit zgjedhor.

Angazhimi i tyre në këtë detyrë është i ligjshëm dhe nuk përbën veprimtari të natyrës politike.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerëson si të bazuar shqetësimin e KQZ-së dhe u bën thirrje drejtuesve të institucioneve shtetërore që në këtë drejtim, të mos sjellin asnjë pengesë. Lidhur me këtë çështje, KShH ka parasysh Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473, dt. 1.6.2017, pika 5, ku thuhet se: “Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor në përbërjen e KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave si pjesë e shërbimit civil”.

Trajnimi në kohë dhe cilësor i komisionerëve ndikon pozitivisht në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Nëse u krijohen pengesa 720 anëtarëve të KZAZ-ve, çfarë mund të mendohet për pasojat e dëmshme që mund të ndodhin nëse e njëjta pengesë mund të vërtetohet edhe për 37 000 anëtarët e KQV-ve dhe GNV-ve që do të ngrihen së shpejti?!

KShH e sheh të nevojshme të përmendë se, edhe pse anëtarët e komisioneve zgjedhore propozohen nga partitë parlamentare, ata sipas ligjit veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, zbatojnë normat e Kodit Zgjedhor dhe udhëzimet e KQZ-së. Në të kundërt, përgjigjen jo vetëm administrativisht por kur është rasti edhe penalisht.

KShH, duke marrë shkas nga ky problem, e shikon gjithashtu të nevojshme të theksojë faktin se, KQZ-së nuk dihet t’i krijohen vështirësi në përmbushjen e kompetencave të saj. Në këtë vështrim, KShH i sugjeron partive përkatëse parlamentare që të respektojnë afatet ligjore lidhur me propozimin e anëtarëve të KQV-ve dhe GNV-ve.

Veç kësaj, ndryshimet e shpeshta dhe të pamotivuara të përbërjes së komisioneve (siç po ndodh me anëtarët e KZAZ-vë) dëmtojnë si procesin e votimit dhe atë të numërimit të votave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2017 >
August
MoTuWeThFrSaSu
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031   
TOP