DISA MENDIME DHE SUGJERIME TË KOMITETIT SHQIPTAR TË HELSINKIT PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7895, DT. 27.01.1995 “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR

Në përmbushje të misionit të tij, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka patur dhe vazhdon të ketë në vëmendje zhvillimet e sistemit tonë të drejtësisë, në veçanti ndryshimet dhe përmirësimin e legjislacionit material dhe procedural. Studime të shumta që janë kryer nga KShH mbi çështjet e Torturës, Korrupsionit dhe veprave penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës nga zyrtarët publikë, ekzekutimin e vendimeve penale, etj, ka rezultuar nevoja për të përmirësuar, qartësuar dhe forcuar dispozitat e ligjit procedural penal në pjesë të ndryshme të tij.

KShH vëren se, nga viti 1995 në të cilin është miratuar, Kodi Penal është ndryshuar 17 herë ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është shprehur me 8 vendime për shfuqizimin e dispozitave të caktuara të këtij Kodi. Këto ndryshime janë tepër të larta, në krahasim me ndryshimet që kanë pësuar ligjet në vendet e tjera të Evropës. Ndërhyrjet e shumta që i janë bërë dhe po i bëhen Kodit Penal vlerësohet se kanë prekur mbi 70% të dispozitave të këtij Kodi, gjë që ka shkaktuar cënim të strukturës së tij dhe të balancës së dënueshmërisë së veprave penale, të parashikuara prej tij, duke shtuar nënparagrafe mbi nënparagrafe, të cilat kanë krijuar amulli dhe ndërprerje të vijës llogjike midis neneve.

Në vlerësimin e KShH-së, rishikimi i Kodit duhet t’i japë fund shtesave të vazhdueshme, të harmonizojë strukturën si dhe ndryshimet e derimëtanishme që janë bërë, duke i unifikuar ato me standardet ndërkombëtare dhe politikën penale bashkëkohore në përgjigje të formave të krimit. Konsultimi i këtyre ndryshimeve duhet të jetë i gjerë dhe në mënyrë të veçantë me kriminologë dhe pedagogë të së drejtës penale të posaçme.

Megjithatë, KShH është i ndërgjegjshëm që për shkak të volumit dhe zhvillimeve tepër dinamike që ka patur reforma në drejtësi, mund të ketë patur vështirësi në reformimin tërësor të Kodit Penal. Rrjedhimisht, do të sugjeronim që rishikimi tërësor i Kodit Penal të mbetej një objektiv i një momenti të mënvoshëm, i cili mund të përkonte me rezultatet e para të zbatimit të reformës në drejtësi.

Për lehtësi, na lejoni të paraqesim vlerësimet tona për këtë projektligj, në bazë të rendit kronologjik të dispozitave dhe propozimeve për ndryshim.

1) Në nenin 31 të Kodit në fuqi propozohet të ndryshohet paragrafi i dytë. Kërkohet të hiqen fjalët “si dhe për gratë” por në relacion nuk jepet ndonjë shpjegim përse dënimi me burgim të përjetshëm mund të zbatohet për gratë. Kuptohet që ndryshimi synon të vendos barazinë midis burrave dhe grave. Megjithatë, KShH vlerëson se diferencimi që dispozita aktuale parashikon është i justifikuar, në kushtet kur gratë mund të jenë dhe nëna apo për shkaqe të tjera sociale apo psikologjike.

2) Për ndryshimin e propozuar në nenin 59 të Kodit Penal në paragrafin e dytë vlerësojmë se fjala pritet të zëvendësohet me fjalën bindet. Shprehja “në mungesë të ndikimit të ekzekutimit” mendojmë se mund të formulohej më qartë me qëllim që të kuptohet nga çdo lexues. Për paragrafin e tretë, togfjalëshi “që janë” mund të zëvendësohet me togfjalëshin “që parashikojnë”. Po në këtë dispozitë, togfjalëshi “për sa kohë ajo është e mendimit” mund të zëvendësohet me fjalët “kur ajo bindet”. Në paragrafin e parafundit të kësaj dispozite, sugjerojmë të qartësohet se kush do të vendosë shkurtimin ose zgjatjen e afatit të proves. Në paragrafin e fundit sugjerojmë që togfjalëshi “Gjykata e revokon” mund të zëvendësohen me fjalët “Gjykata vendos revokimin e vendimit…”. Po në këtë paragraf, sugjerojmë që togfjalëshi “nuk i përmbush detyrimet e caktuar atij në çështjet kur ai mund t’i kishte përmbushur ato” sugjerojmë të rishikohet dhe formulohet më qartë si psh “nuk i përmbush detyrimet e caktuara, në kushtet dhe rrethanat që lejojnë përmbushjen e tyre”.

3) Për nenin 5 që ndryshon nenin 60 të Kodit Penal, së pari sugjerojmë që në teknikën legjislative përdoret termi “pikë” në vend të termit “numër”. Së dyti në paragrafin e fundit, sugjerojmë që fjala “referim” mund të zëvendësohet me fjalët “të parashikuar”.

4) Për nenin 7 që ndryshon nenin 62 të Kodit Shkronja “b” mendojmë që shprehja “vazhdimisht” të zëvendësohet me fjalët” në mënyrë të përsëritur” sepse shprehja vazhdimisht është diçka më e gjerë dhe e përgjithshme. Për paragrafin e tretë thuhet gjykata mund të nxjerrë udhëzime … Mendojmë se kjo çështje është e diskutueshme së pari sepse gjykata si rregull nuk vepron me udhëzime, së dyti të ç’natyre do të jenë këto udhëzime, së treti në gjykata të ndryshme lidhur me këto udhëzime mund të krijohen praktika të ndryshme.

5) Për nenin 8 që shton nenin 62/a, fjala “skadim” mund të zëvendësohet me fjalën “përfundim”. Mund të shikohet përsëritja 2 herë e fjalës “revokon” (paragrafi i dytë). Fjala “lejohet” mund të zëvendësohet me fjalët “Revokimi mund të vendoset” ose “revokimi vendoset”. Në paragrafin e fundit përdoret 4 herë fjala “revokim”. Sugjerojmë të shikohet në aspektin e teknikës legjislative.

6) Për nenin 9 që ndryshon nenin 64 lirimi me kusht, fjala “demostron” mund të zëvendësohet me fjalën “tregon”. Sipas paragrafit të dytë nuk lejohet lirimi para kohe me kusht kur ai ka vuajtur jo më pak se gjysma e dënimit me burgim për kryerjen e një kundravajtje penale dhe jo më pak se dy të tretat e dënimit të vendosur për krimet e dënueshme me burgim deri ne 5 vjet.

Mendojme se për formulimin e paragrafit të tretë të këtij neni është vlerësuar vetëm rrezikshmëria e veprës dhe jo elementët e tjerë siç mund të jenë rrethanat lehtësuese, kushtet e kryerjes së krimit etj. Kështu p.sh edhe për krimet deri në 5 vjet gjykata mund të caktojë një dënim edhe me 6 muaj ose një vit. Të njëjtin dënim mund të caktojë edhe për një kundravajtje penale. Mendimi i shfaqur për këtë çështje mund të jetë i diskutueshëm.

Për paragrafin e katërt të nenit 9 që ndryshon nenin 64, parashikohet se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarit përsëritës për krime të kryera me dashje si dhe për të dënuarit për kryerjen e një vepre të parashikuar sipas nenit 78/a,79/a,79/b,79/c apo paragrafi i tretë i nenit 100 të Kodit Penal (fjalët të Kodit Penal mungojnë). Ky paragraf vlerësojmë se bie ndesh me nenin 10 (që bën ndryshimin e nenit 65) sepse lirimi para kohe me kusht lejohet edhe për të dënuarit me burgim të përjetshëm, pavarësisht se ky i fundit duhet të ketë vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet. Kemi mendimin se derisa lejohet dënimi edhe për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, nuk do të ishte e justifikueshme që të bëheshin përjashtime për vepra të tjera penale, siç përmenden në nenin 9, paragrafi 5 (është fjala për nenin 64 të Kodit Penal).

7) Për nenin 10 të projektit, që ndryshon nenin 65 të Kodit Penal, kemi mendimin se afati, “të paktën 35 vjet” duket i gjatë. Kemi parasysh se me burgim të përjetshëm mund të dënohet edhe një person i moshës 60 ose 70 vjeç dhe që i lind e drejta të kërkojë lirimin para kohe me kusht në moshën 95 vjeç ose 105 vjeç. Për të patur më të qartë këtë problem, i referohemi Jurisprudencës kushtetuese të Republikës Federale të Gjermanisë në librin me autor Donald P. Koners, përkthim shqip i vitit 2016 (faqe 410-417). Ky problem trajtohet gjerësisht, në një vendim të Gjykatës Federale ku thuhet se edhe të dënuarve me burgim të përjetshëm nuk mund t’ju mohohen të gjitha shpresat për lirim sepse qëllimi i çdo dënimi është rehabilitimi dhe riasocimi. Përmendet edhe çështja e një të dënuari nazist (SS) që u lirua me kusht në moshën 89 vjeç dhe që ishte dënuar me burgim të përjetshëm si fajtor për vdekjen në kremator të 50 personave. Në këtë libër përmendet amendimi i Kodit Penal Gjerman që edhe të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të kërkojnë lirim para kohe me kusht nëse kanë vuajtur jo më pak se 15 vjet burgim (sigurisht, në bazë të disa kushteve dhe kritereve ligjore). Kemi mendimin se afati 35 vjet duhet konsideruar i tepërt sepse humb shpresat e lirimit me kusht edhe pse është zbatuar dënimi përjetshëm. Për një kategori të caktuar të dënuarish, sikurse mund të jenë ata të moshuar apo me sëmundje të rënda, ky kufizim cenon dhe parimet që përshkruajnë Kodin Penal dhe legjislacionin penal në tërësi, përkatësisht parimin e humanizmit, të rehabilitimit dhe ri-integrimit në shoqëri të personave të privuar nga liria.

8) Për nenin 11 që ndryshon nenin 66 të Kodit Penal, kemi mendimin se mund të parashikoheshin afate më të ulëta për parashkrimin e dënimeve që parashikohen në shkronjat “a” dhe “b” të nenit 66 të Kodit Penal. Veç kësaj, sipas nenit 67 të Kushtetutës, nuk parashkruhet ndjekja penale për krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit (neni 67 i Kodit Penal sipas projektit nuk ndryshon), ndërsa në projekt janë shtuar edhe nenet 76 -79 c.

9) Për nenin 12 që ndryshon nenin 89/a, paragrafi 2, fjala “abuzon” mund të zëvendësohet me shprehjen “shpërdoron”.

10) Për nenin 16, ku bëhet fjalë për nenin 293 / c të Kodit Penal, ç’duhet kuptuar me shprehjen “në raste të parëndësishme”? E theksojmë këtë sepse ky formulim mund t’i lerë shkas interpretimeve të ndryshme dhe subjektive. Shprehja “me kuadrin” mund të hiqet dhe të thuhet “kur kjo vepër kryhet nga një grup i strukturuar kriminal”.

11) Për nenin 17 (Lidhur me nenin 313/b) Pika 1 – ndoshta është lapsus, por dy herë përsëriten fjalët “përfshirë në programin e mbrojtjes”. Në pikën 2 përmendet ligji Nr: 9205 dt 15/03/2004 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpuntorëve të drejtësisë”. E shikojmë të nevojshme të vemë në dukje se është pregatitur projekt-ligji “Për ndryshime dhe shtesa në ligjin N: 10/73, datë 22/10/2019 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpuntorëve të drejtësisë”, i ndryshuar që përmban 9 nene. Mendojmë se kjo duhet patur parasysh, sidomos sa i takon harmonizimit të këtyre projekteve para se ato të miratohen nga Kuvendi i RSH.

Ashtu sikurse është theksuar dhe më sipër, KShH ka kryer ndër vite studime të ndryshme kërkimore mbi zbatimin e legjislacionit material dhe procedural nga organet e sistemit të drejtësisë penale. Duke qenë se Kodi Penal po përballet me ndryshime, KShH dëshiron t’ju sjellë në vëmendje disa nga gjetjet dhe konkluzionet tona ndër vite, të cilat vlerësojmë se do të ndihmojnë në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të projektligjit të propozuar.

1. Në raportin Studimor për denoncimin, hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e Korrupsionit, KShH, pasi analizoi kallëzimet penale të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ecurisë së hetimit dhe gjykimit të tyre, si dhe gjetjeve të rezultuara nga monitorimi i disa seancave dhe vendimeve gjyqësore për gjykimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, propozoi ndër të tjerash këto ndryshime në Kodin Penal, përkatësisht si vijon:

a. Rekomandohet të diskutohet më gjerë nevoja për saktësimin, ose qartësimin e subjekteve të posaçme, të parashikuar në nenin 319/ç të Kodit të Procedurës Penale që sanksionon korrupsionin pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë. Konkretisht, kush do të konsiderohet funksionar i organeve të drejtësisë? Nga studimi ynë, rezulton që funksionar janë konsideruar edhe nëpunësit gjyqësor duke përfshirë këtu edhe sekretarët e gjykatave.

2. Në Studimin për veprat penale të torturës, trajtimit çnjerëzor dhe degradues si dhe praktika e hetimit dhe gjykimit të tyre në rrethet gjyqësore Tiranë dhe Elbasan, KShH, pasi analizoi praktikat hetimore dhe gjyqësore të këtyre dy rretheve gjyqësore, lidhur me kuptimin dhe aplikimin e neneve 86 dhe 87 të Kodit Penal, duke e krahasuar praktikën e këtyre organeve me standartet që promovon jurisprudenca e GjEDNj, si dhe vlerësimi i legjislacionit tonë të brendshëm në aspektin e përputhjes së tij me parimet dhe parashikimet substanciale të KEDNj dhe aktet e tjera ndërkombëtare të kësaj fushe, adresoi këtë rekomandim:

a. Të merren masa, që në kuadër të reformës në drejtësi, legjislacioni penal në këtë fushë, të përqaset me kuptimin që GJEDNJ u ka dhënë veprave të torturës dhe trajtimit çnjerëzor e degradues, si dhe të shtrihet ndaj subjekteve privatë që mund të kryejnë vepra penale të tilla, siç ka orientuar Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 3, dt. 11.02.2004. Gjithashtu legjislacioni ynë të plotësohet me dispozita të qarta që të parashikojnë mjetet dhe rrugët procedurale gjyqësore, për t’u mundësuar shtetasve të kërkojnë ndërprerjen e torturës dhe trajtimit çnjerëzor e degradues, në dëm të tyre, si dhe për të kërkuar dëmshpërblim për sa kanë pësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit