Fjala përshëndetëse – Reforma në drejtësi


Të nderuar kolegë të shoqërisë civile,

Faleminderit për interesin që treguat duke marrë pjesë në këtë tryezë!

Komiteti Shqiptar i Helsinkit prej disa muajsh është duke zbatuar nismën “Promovimi i aktivizimit dhe pjesëmarrjes së publikut dhe shoqërisë civile në Reformën në Sistemin e Drejtësisë”, mundësuar me mbështetjen financiare të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.

Në kuadër të kësaj nisme, KShH ka organizuar një sërë forumesh në auditorë të ndryshëm në disa qytete të vendit, përkatësisht në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Elbasan.

Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë të informojë studentët, përfaqësuesit e organizatave jofitimprurëse dhe institucioneve shtetërore në nivel vendor, median lokale dhe shikuesit e saj mbi ndryshimet që sjell paketa e ndryshimeve kushtetuese dhe 6 ligjeve organike të reformës në sistemin e drejtësisë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek risitë kryesore të reformës dhe përfitimet që pritet të kenë qytetarët. Jemi munduar që këtë proces informimi ta kryejmë në një gjuhë jo teknike, të thjeshtë dhe të kuptueshme, duke j’u përshtatur të gjitha grupeve me të cilat janë zhvilluar forumet.

Gjithashtu, me anë të këtyre takimeve kemi synuar të nxisim debatin publik dhe profesional, mbi nevojat që duhen adresuar në paketën ligjore të 27 projektligjeve të reformës në drejtësi që janë në proces shqyrtimi pranë Komisionit të Ligjeve.

Nga ana tjetër, KShH ka shfrytëzuar ekspertizën më të mirë, brenda dhe jashtë organizatës, duke ofruar oponencë ligjore për 14 nga këto projektligje, duke patur si synim kryesor akses më të lartë dhe efektiv në organet e sistemit të drejtësisë, respektim më të mirë të të drejtave dhe lirive të shtetasve në kontakt me drejtësinë, garantimi i mjeteve ligjore efektive ndaj individëve që j’u shkelen këto të drejta, respektim më i mirë i parimit të sigurisë juridike, parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, qartësi, kuptueshmëri dhe shmangie e interpretimeve subjektive në mënyrën e formulimit të dispozitave, etj.

Një drejtim tjetër i nismës së KShH-së kanë qenë reagimet publike për reformën në drejtësi. I kemi bërë thirrje Kuvendit të miratojë paketën e ndryshimeve kushtetuese të kësaj reforme. Reagimi më i fundit i KShH-së ka qenë ai për më shumë transparencë për publikun për shqyrtimin e aplikimeve dhe verifikimin e kandidaturave për në institucionet e vettingut. Procesi i vettingut pritet të jetë ai që do të rikthejë besimin e shtetasve në organet e sistemit të drejtësisë. Në vlerësimin tonë ky proces duhet të përçojë sa më shumë transparencë që në fazën fillestare të krijimit të këtyre institucioneve. Në vende si Rumania apo Moldavia që përballen me reformimin e sistemit të drejtësisë, kandidatët për institucionet e sistemit të drejtësisë testohen nga publiku nëpërmjet publikimit të të dhënave mbi CV-në e tyre.

Gjithashtu, në deklaratën tonë për procesin e shqyrtimit të kandidaturave për institucionet e vettingut, ngritëm në emër të publikut çështjen se vendimi i mëparshëm i Kuvendit për të rihapur thirrjen për shprehjen e interesit nga aplikantë të rinj për këto institucione ishte i paqartë dhe i paparashikuar në Kushtetutë dhe në Ligj. Kuvendi më pas vendosi të shfuqizonte këtë pjesë të vendimit të tij, duke i kërkuar Avokatit të Popullit të njoftojë kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret formale të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.

Për çështje dhe zhvillime të rëndësishme të lidhura me reformën në drejtësi, i jemi bashkuar gjithashtu disa prej nismave të ndërmarra nga Koalicioni Drejtësi për të Gjithë, pjesë e të cilës është edhe KShH. Për të prezantuar Koalicionin dhe veprimtarinë e tij të deritanishme, dëshiroj t’ja kaloj fjalën Z. Milaim Demnushaj.

Konkluzione

  • Ka dhe mund të ketë mendime të ndryshme, por siç u përmend në këtë forum, miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë dhe fillimi i zbatimit të kësaj reforme është domosdoshmëri që vjen si nevojë e qytetarëve të vendit tonë.
  • Asistenca e partnerëve ndërkombëtarë në drejtim të hartimit dhe miratimit të reformës por dhe zbatimit të saj ishte dhe vazhdon të jetë tepër e rëndësishme. Në këtë drejtim, jo më pak i rëndësishëm ka qenë dhe vazhdon të jetë roli dhe kontributi i aktorëve të shoqërisë civile. Vigjilenca e organizatave të shoqërisë civile duhet të jetë maksimale, ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm që lidhet me këtë reformë.
  • Vendi po përballet me një reformë e thellë që përfshin krejt sistemin e drejtësisë. Njohja e saj do të jetë graduale dhe zbatimi në praktikë do të kërkojë kohë. Gjithashtu, duhet pranuar se ajo do të ndeshet edhe me vështirësi.
  • Në përfundim dëshiroj të mbyll këtë forum me shprehjen e ish kryetarit të Gjykatës së Lartë të Izraelit “Si gjyqtar nuk kam platformë politike. I djathtë dhe i majtë, fetar dhe laik, i pasur dhe i varfër, burra dhe gra, i paaftë dhe i aftë, të gjithë janë qënie njerëzore. Unë do të mbroj dinjitetin e secilit. Nuk synoj pushtet. Nuk kërkoj të sundoj. Unë i njoh zinxhirët që më lidhin si gjyqtar. Sa herë që hyj në sallën e gjykimit, hyj me ndjenjën e thellë që ndërsa gjykoj pres edhe të gjykohem.” Le të shpresojmë që ky vizion do të jetë ai që do të udhëheqë të gjithë gjyqtarët e vendit tonë në një të ardhme sa më të afërt.

 

Erida Skëndaj

Drejtore Ekzekutive e KSHH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2017 >
June
MoTuWeThFrSaSu
   1234
567891011
12131415161718
19202122232425
2627282930  
TOP