Jo, të nderuar anëtarë të KQZ! Pedanat për personat me aftësi të kufizuara nuk janë mall konsumi që përdoren vetëm një herë!


Në mbledhjen e KQZ, datë 25 Shkurt 2013, u zhvilluan diskutime për parashikimin buxhetor për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Ndër të tjera, komisionerët diskutuan edhe mbi zërin “ shpenzime për mallra konsumi” ku ishin përfshirë edhe shpenzimet për prodhimin e pedanave për personat me aftësi të kufizuara, të cilat duhet të vendosen në hyrjet e objekteve ku do janë qendrat e votimit. Në diskutim u kundërshtua miratimi i asaj pjese të buxhetit, që lidhej me prodhimin e pedanave për personat me aftësi të kufizuara duke u cilësuar si “ luks i tepërt” prodhimi i tyre që, sipas komentit …” përdoren vetëm një here”.

– Sipas “ Strategjisë Kombëtare për personat me aftësi të kufizuara” VKM NR.8, datë 7.1.2005, në planin e veprimit të saj, I, 1, ë) përcaktohet detyrimi për përshtatjen e qendrave të votimit;
– sipas Kodit Zgjedhor, neni 108, pika 7 përcakton detyrimin ligjor që qendrat e votimit duhet të përshtaten, edhe duke vendosur pajisje ndihmëse/pedana në hyrje të tyre;
– sipas VKM Nr.1503, datë 19.11.2008 “ Rregullorja për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara”, neni 2, dhe në tërësi e gjithë Rregullorja, përcakton detyrimin për përshtatje të objekteve të reja dhe egzistuese;
– sipas Ligjit Nr.10 221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, neni 3, pika 7 përcakton mohimin e përshtatjes së arsyeshme si një formë diskriminimi;
– sipas Konventës së OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ratifikuar nga parlamenti shqiptar në Nëndor 2012,neni 9 përcakton detyrimet e shtetit për akses në objektet dhe shërbimet publike, neni 29, pika a, i) përcakton detyrimet e shteteve për krijimin e lehtësirave për votim për zgjedhësit me aftësi të kufizuara.

Eshtë e domosdoshme që të dihet nga të gjithë, edhe nga ju të nderuar anëtarë të KQZ, se duke qenë se qendrat e votimit janë të vendosura në shumicën e tyre në objekte publike si shkolla, qendra shëndetësore, zyra, etj. vendosja e rampave në hyrje të tyre e përqas objektin me standartet e detyrueshme ndërkombëtare dhe kombëtare jo vetëm për procesin e votimit, por edhe për aktivitetin e përditshëm të tyre në shërbim të nxënësve e qytetarëve. Duke i vendosur këto pedana në objekte publike ato mbeten në përdorim afatgjatë, përtej periudhës zgjedhore, për të gjithë përdoruesit e shumtë të këtyre objekteve.

Kështuqë fondet e parashikuara nuk përbëjnë para të hedhura dëm, por do të krijojnë “ luksin” për personat me aftësi të kufizuara që të gëzojnë të drejtën për votim të barabartë, të drejtpërdrejtë e të fshehtë.

Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është angazhuar me përpjekje të vazhdueshme në proceset zgjedhore në Shqipëri, pas vitit 2000, për të mundësuar pjesëmarrje në votime të barabarta, të drejtpërdrejta e të fshehta të zgjedhësve me aftësi të kufizuara. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara angazhohet për përpjekje të mëtejshme, edhe duke ofruar për KQZ dhe institucionet përgjegjëse rezultatet dhe rekomandimet e studimit “ E drejta zgjedhore për zgjedhësit me aftësi të kufizuara” që përgatiti dhe vuri në dispozicion të aktorëve përgjegjës në Janar 2013, si edhe ekspertizë në realizimin e përshtatjes së hyrjeve të objekteve / qendra votimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2019 >
November
MoTuWeThFrSaSu
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930 
TOP