Konferencë për shtyp: Situata e respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri për vitin 2011


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), është një organizatë me mision mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Këto ditë KSHH ka festuar 21 vjetorin e saj, pikërisht në datën 16 dhjetor 1990, personalitete të shquar themeluan këtë organizatë të të drejtave të njeriut, që sot mban emrin Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

 KSHH, gjatë vitit 2011, ka ofruar një sërë shërbimesh duke përfshirë këtu këshillimi ligjore si dhe në përfaqësimin në gjykatë të tyre

.Nisur nga ankesat e ardhura në adresën tonë në kuadër të Programit disa vjeçar të Klinikës Ligjore falas1, problematikës aq ngritur në takime të ndryshme nga qytetarët, KSHH ka kryer një sërë misione monitorimi të planifikuara dhe sporadike për 8 drejtime të të drejtave të njeriut, konkretisht respektimin e të drejtave të: personave të shoqëruar dhe tëndaluar në komisariate të policisë; paraburgosur dhe të dënuar në Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale; të personave që marrin shërbime nga pikat e kalim kufirit; minoritetit rom dhe komunitetit egjyptian lidhur me çështjen e strehimit; shtetasve që kanë patur akses në gjykata; personave me probleme të shëndetit mendor. Gjithashtu janë monitoruar me vëmëndje të veçantë funksionimi dhe aktiviteti e dy komisioneve të
ngritur rishtaz, Komisioni kundër diskriminimit dhe Komisionin shtetëron të ndihmës juridike falas.

Falenderime për drejtuesit që na krijuan lehtësi për monitorimin e institucioneve të tyre dhe bashkëpunuan për dhënien e informacionit si dhe falenderim ekspertëve të angazhuar në kryerjen e këtyre monitorimeve pa bashkëpunimin e të cilëve s’do të kishim mundësi realizimin e këtyre gjetjeve.

Konstatimet e këtyre raunde monitorimi janë:

1. Respektimi i të drejtave të personave të shoqëruar dhe të ndaluar në disa komisariate të policisë;

Në kuadër të respektimit të të drejtave të personave të shoqëruar dhe të ndaluar janë kryer monitorime në disa komisariate si: Tiranë (1, 2, 3 dhe Kamëz), Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës, Korçës, Pogradecit, Lushnjes, Beratit, Fierit, Elbasanit, stacioni i policisë së Librazhdit, Lezhës, Shkodrës, Krujë dhe stacioni i policisë Fushë Krujë dhe Kukësit.

Disa nga problemet e evidentuara janë:

Infrastruktura dhe kushtet fizike. U konstatuan përmirësime të dukshme në krahasim me të kaluarën në disa komisariate lidhur me infrastrukturën si në Gjirokastër, Kukës dhe Korçë, por disa standarte nuk janë realizuar as në investimet e reja. Mgjt, vërehen probleme lidhur me kushtet fizike të ambjenteve të shoqërimit dhe ndalimit në komisariatet e Tiranës, Vlorë, Sarandës, Durrësit, Lushnjës, Krujës, Shkodrës dhe Elbasanit. Ndër problemet më emergjente janë: prania e lagështirës, kubaturën e vogël e dhomave, mungesa e pajisjeve të nevojshme për fjetje, si krevat, dyshek, shtroje, mungesa e energjisë elektrike, uji, etj.

Në një pjesë të konsiderueshme të komisariateve mungonin dhoma sigurie për personat e ndaluar dhe arrestuar si në: Komisariatin e Beratit, Mallakastrës, Hasit, Mirditës, Laçit, Pukës, Malësisë së Madhe, stacioni i policisë së Librazhdit dhe Fushë Krujës, Gramshit,
Peqinit, etj të cilët i dërgonin personat e ndaluar në komisariate të tjera të Drejtorisë së Qarkut përkatëse.

Kushtet higjeno sanitare. Në pjesën më të madhe të komisariateve të monitoruara bëheshin përpjekje për të mbajtur pastër mjediset por në Komisariatin Nr. 3, Sarandës, Pogradecit dhe Elbasanit situata lë për të dëshiruar.

Lidhur me personelin u konstatuan mungesa të personelit femër me uniformë, sidomos në Sarandë, Has, Tropojë dhe Lezhë. Kishte mungesa për mjek dhe psikolog në organikën e disa komisariateve të cilët i merrnin këto shërbime nga Drejtoria qarkut, në një kohë që gjeografikisht ndodheshin larg.

Lidhur me respektimin e afateve të mbajtjes së personave të ndaluar dhe shoqëruar, u konsiderua shqetësues mbajtja në komisariate për një kohë të gjatë të personave të dënuar në mungesë. Në komisariatin Nr. 2 Tiranë dhe Lushnjë u evidentua si problematikë mbajtja e personave në dhomat e sigurisë mbas kohës së vlerësimit të masës së sigurisë “arrest në burg”. Në disa raste u vu re se kishte shkelje të afateve të paraqitjes së personave para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurimit.

Trajtimi human. Gjatë monitorimit dhe kontaktit me disa persona që qëndronin në këto dhoma nuk është pretenduar për keqtrajtim fizik ose ushtrim dhune. Pavarësisht nga kjo, KSHH në kuadër të Klinikës Ligjore gjatë vitit 2011 ka marrë disa ankesa për ushtrim
dhune ose keqtrajtim.
Jemi të mendimit se qëndrimi i personave të ndaluar në kushtet e komisariateve që paraqiten si problematike, përbën trajtim c/njerëzor dhe degradues.

2. Respektimin e të drejtave e personave të paraburgosur dhe të dënuar në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale

Lidhur me këtë fushë janë kryer monitorime gjatë vitit 2011 në disa IEVP dhe Institucione paraburgimit, konkretisht në: IEVP “Mine Peza”, “Jordan Misja” në Tiranë, “Ali Demi” në Tiranë, Shën Koll, Peqin, Bënç në Tepelenë, Burrel, Fushë Krujë, Berat, Rrogozhinë,
Korçë, Sarandë dhe Vlorë.

Infrastruktura. Gjatë këtyre monitorimeve u konstatua se është arritur progres lidhur me infrastrukturën e disa institucioneve ekzistueve dhe në ndërtimin e disa institucioneve të reja, si Berat, Elbasan, Shkodër, etj. Pavarësisht nga kjo në disa institucione ka ende godina të vjetra të parikonstruktura dhe me kushte fizike të këqija, si në Tepelenë, Burrel, Rrogozhinë, Sarandë dhe Berat. Ndër problemet kryesore vihet re prania e lagështirës, amortizimi i ambjenteve si dhe mungesa e ndriçimit natyror. Problem me infrastrukturën u vu re edhe në disa institucione të reja si në Korçë, Fushë Krujë ku u vërejtën probleme me mungesën e dusheve, mosfurnizimin me ujë të ngrohtë, etj,

Infrastruktura në disa instituicone nuk është e përshtatshme për ajrimin, për shkak të mungesës së ambjenteve të përshtatshme si në institucionin e Beratit dhe Sarandës ose për shkak se ato janë të hapura dhe në kushte klimaterike të ndryshme mund të bëhen të papërdorshme.

Lidhur me mbipopullimin u vu re se ky problem ekziston në disa Institucione si Fushë Krujë, Vlorë, Berat dhe Rrogozhinë. PSh në IEVP Fushë Krujë në dhoma me kapacitet 4 persona, mbaheshin 6 – 7 persona në kundërshtim me standartin e përcaktuar.

Personeli. Në pjesën më të madhe të Institucioneve të monitoruara ka mungesa në numrin e personelit, sidomos në sektorin e shërbimit shëndetësor, si në institucionet e Burrelit, Berat, Lezhës dhe Sarandës.

Lidhur me shërbimin shëndetësor lë për të dëshiruar dhe kjo vihet re në shumicën e institucioneve, për çështje si mosrespektimi i kontrollit periodik, mungesa me medikamente, mungesa e ushqimit të specializuar për persona të sëmurë me diabet, mungesa e trajtimit të specializuar për të sëmurë kronikë me diagnoza të rënda, etj.

Kategoria e të sëmurëve mendorë vazhdon të jetë problematike për shkak të qëndrimit të tyre në institucione të paspecializuara dhe nuk marrin trajtimin e përshtatshëm psikiatrik dhe mjekësor, si psh në Institucionet Fushë Krujë, Vlorë, Korçë, Rrogozhinë dhe Burrel. Vazhdojmë të ngremë me shqetësim mbajtjen në Institucione të burgimit të personave për të cilët gjykata ka dhënë masë mjekësore të detyrushme dhe moskrijimin e një institucioni të specializuar për këtë kategori.

Trajtimi human. Në adresën e KSHH-së kanë ardhur ankesa nga të dënuarit ose të burgosurit të cilët kanë pretenduar për mungesë të etikës së komunikimit, ushtrim dhune psikologjik dhe në raste të rralla fizik si dhe trajtim jo human dhe degradues6. Mgjt mënyra
e si dokumentohen dëmtimet që pësojnë të burgosurit nuk jep mundësinë atyre që ta provojnë dhunën e ushtruar.

3. Respektimin e të drejtave të personave në disa nga pikat e kalim kufirit

Në këtë aspekt janë kryer monitorime në disa pika kalim kufiri, si në Muriqanit, Hanit të Hotit, Shëngjinit, Kakavijës, Kapshticës, Qafë-Botës, Tre Urat, Qafë Thanës, Tushemishtit, Goricës, Morinës, Portit të Vlorës, Durrësit dhe Sarandës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Qendrës së Mbyllur të të Huajve.

Gjatë këtyre monitorimeve u konstatua se në këtë fushë është arritur progres sidomos në infrastrukturë dhe në trajnimin e burimeve njerëzore por përsëri evidentohen disa probleme.


Infrastruktura ka zhvillime pozitive të dukshme, sidomos në pjesën më të madhe të pikave të kalim kufirit por përsëri në disa prej tyre pritet të kryhen investime si në Portin e Vlorës dhe Morinë-Kukës. Ambjentet e pritjes dhe intervistimit për personat INAD dhe të deportuar rezultonin që i përmbushnin standartet në shumicën e tyre, ndërsa u konstatuan probleme për shkak të përshtatshmërisë së tyre si në portin e Vlorës, PKK Morinë, Hani i Hotit, ashtu si dhe mungesa e ambjenteve të veçanta për fëmijët dhe femrat në PKK Tre urat dhe Murriqan. Gjithashtu kishte mungesa dhe të ambjenteve të përshtatshme për nevojat personale të qytetarëve të cilët kalonin në këto PKK.

Lidhur me personelin në PKK, pavarësisht përmirësimeve që janë bërë për plotësimin me personel femër me uniformë, përsëri ka mungesa si psh në PKK Morinë – Kukës, Tre Urat- Përmet, Gorricë, Murriqan dhe Shëngjin. Në PKK e tjera u konstatua që prania e personelit femër është por e pamjaftueshme. Një shqetësim tjetër është mungesa e psikologut në organikën e PKK sidomos në momentin e intervistimit të personave që dyshohen që janë të trafikuar ashtu si dhe të të miturve ashtu si dhe të punonjësve sanitare.

Procedurat për refuzimin e personave për kalimin e kufirit nga pala shqiptare në hyrje dhe në dalje, kryesisht është respektuar. Ndërsa lidhur me refuzimet për hyrjen e personave në pikat e kalim kufirit të vendeve fqinjë sidomos me Greqinë, ka patur pretendime se jo në të gjitha rastet procedurat janë respektuar sidomos për shqiptarët që i përkasin komunitetit Çam.

4. Respektimin të drejtës së strehimit të minoriteti rom në disa bashki dhe komuna

Monitorimi u krye në ato bashki dhe komuna ku janë vendosur komuniteti rom dhe ai egjyptian, konkretisht Tiranë (Njësia Nr. 5, 11, 4, 1), Komuna Levan- Fier, dhe në bashkitë Elbasan, Shkodër, Durrës, Fushë-Krujë, Korçë, Kukës.

Lidhur me kushtet e banimit u vu re se ato ishin të këqija dhe janë evidente në pjesën më të madhe të njësive vendore të monitoruara. Rreth 30% e popullsisë Rome dhe egjyptiane jetojnë në banesa të papërshtatshme.

Infrastruktura. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet e ujrave të zeza ende mbeten një problem serioz për pjesën më të madhe të njësive vendore të monitoruara. Problemet më të mëdha janë në zonat informale dhe zonat e përshtatura për banim nga komuniteti Rom. Në këto zona ka mungesë të infrastrukturës së nevojshme, ndërkohë që në vendbanimet e tjera megjithëse ekziston infrastruktura ka probleme me furnizmimin me ujë të pijshëm.

Strehimi social. Bashkësite rome dhe egjyptiane kanë përfituar pak nga programet e strehimit social.

Ndihma ekonomike. Numri i familjeve Rome dhe Egjyptiane që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike ka ardhur në rritje, por pavarësisht lë për të dëshiruar. Këto familje marrin ndihmë dhe asistencë nga shoqatat dhe njësitë e pushtetit vendor për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Shërbimi shëndetësor. Aksesi i komunitetit Romë dhe Egjyptian në sistemin shëndetësor kufizohet nga mungesa e sigurimeve shëndetësore.

5. Respektimin e të drejtës për akses të qytetaërve në gjykata;

Monitorimet janë kryer në disa gjykata bazuar në kërkesat e qytetarëve por dhe për çështje të cilat kanë qënë sensitive, kryesisht në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kavajë (seksioni penal), Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Gjykatën e Shkallës se Parë Tiranë (dhoma penale).

Publiciteti i seancave gjyqësore. Nga monitorimi rezultoi se në shumicën e rasteve publiciteti i seancave gjyqësore është respektuar, por në disa seanca gjyqësore, palët ndërgjygjëse nuk janë thirrur publikisht nga gjykata për fillimin e seancës.

Lidhur me aksesin e qytetarëve për tu njohur me kalendarin e çështjeve gjyqësore, situata paraqitet e mirë në ato gjykata të cilat kanë faqe zyrtare interneti, si Gjykata e rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda, Gjykata e Lartë.
Ndërsa në Gjykatën e Kavajës rezultoi se afishimi i listave ishte një problem serioz, pasi hapësira që ju ishtë lënë ishte e pakët dhe listat e reja afishuara të vendoseshin mbi ato të vjetrat (duke përfshirë dhe ato të vitit 2010) të cilat bënin që aksesi i qytetarëve të ishte i kufizuar. Gjatë monitorimit u konstatua gjithashtu se faqja zyrtare e kësaj gjykate nuk funksiononte.

Etika e komunikimit. Nga vëzhgimet ka rezultuar se në shumicën e rasteve etika e komunikimit është respektuar, përveç në disa seanca gjyqësore në Gjykatën e Lartë. U konstatua se disa seanca gjyqësore janë zhvilluar në zyra, sidomos në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa në Gjykatën e Kavajës, seancat e monitoruara janë kryer në sallat gjyqësore.

Lidhur me zvarritjen e proceseve gjyqësore. Problemi i zvarritjeve gjyqësore vazhdon sidomos në ato çështje kur kemi të bëjmë me shumë të pandehur ose për shkak të mosardhjes së letërporosive për marrjen e provave ose dëshmive të ndryshme. Gjithashtu shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore vazhdojnë të jenë mungesa e avokatëve dhe i të pandehurve, në disa raste dhe pa ndonjë arsye si në çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda “të zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha” .

U konstatua se në pothuajse të gjitha rastet nuk është respektuar Neni 342 të KPRP për caktimin e seancës të nesërmen e seancës gjyqësore duke i shtyrë ato pas 15 ditësh pa përcaktuar as arsyet e shtyrjes.

Shpallja dhe arsyetimi i vendimeve. Gjatë monitorimeve u konstatua se pothuajse të gjitha vendimet e gjykatave janë shpallur publikisht por jo në mënyrë të arsyetuar duke u dhënë palëve vetëm dispozitivin.

6. Respektimin e të drejtave të personave në spitale psikiatrike

Në fillim të vitit 2011, KSHH ka kryer një sërë vëzhgimesh lidhur me respektimin e të drejtave të pacientëve në spitalet psikiatrike në rrethet Shkodër, Vlorë, Elbasan ,Tiranë si dhe pacientëve në qendrat komunitare në rrethet e lartë përmendura dhe në rrethet Korçë,
Berat, Gjirokastër dhe Kukës.

Problemet lidhur me infrastrukturën, në veçanti në spitalin psikiatrik të Shkodrës dhe Vlorës, kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatese. Në këto spitale qëndrojnë pacientë të cilet janë të sëmurë rëndë dhe kronikë e që nuk integrohen në shoqëri; këta pacientë kane nevojë për një shërbim të gjatë në spital. Godina e spitalit të Vlorës është e vjetër me ambiente me lagështirë dhe tualete të amortizuar dhe pa higjenë. Çarcafët dhe dyshekët janë të papastër dhe disa edhe të vjetër.
Ngrohja kryesisht mungon ose sistemi është i amortizuar në spitalet psikiatrike të Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit.

Organikat e spitaleve kryesisht janë të plotësuara me personelin e planifikuar por pavarësisht nga kjo vihet re nevoja e shtimit të tij, sidomos të personelit infermier dhe kujdestar me qëllim përmirësimin e trajtimit të personave të sëmurë mendore. Një pjesë e punonjësve social e zhvillojnë jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë me pacientin.

Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor sigurojnë shërbimin në banesa në zona të paracaktuar. Në këto institucione, aktiviteti i përditshëm kryhet nga ekipe multidisiplinare të qëndrës. Numri është i pakët dhe nuk mbulojnë të gjitha problemet e evidentuara.

Qendrat Komunitare Shtëpi ofrojnë shërbime reabilitues, edukuese dhe kuruese çka përgatisin pacientët të jenë të aftë për tu integruar në jetë. U konstatuan gjendje dhe shërbim i mirë në këto qëndra shtëpi.

7. Funksionimin dhe aktivitetin e dy komisioneve të ngritur rishtaz, Komisioni kundër diskriminimit dhe Komisioni shtetëror të ndihmës juridike falas.

Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi (KMD)

Nga monitorimi që KSHH ka bërë KMD, dhe nga informacionet e mbledhura, u konstatua se ky institucion ka filluar nga aktiviteti, janë akomoduar në ambjente të reja si dhe është plotësuar struktura me stafin e parashikuar.

KShH vlerëson aktivitetin e deritanishëm të KMD-së për sa i takon zhvillimit të dialogut të rregullt me organizatat vendase dhe ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, pavarësisht se në pjesën më të madhe të rasteve kjo iniciativë është marrë nga vetë shoqëria civile.

Ndonëse institucioni është i ri numri i ankesave dhe i rasteve të shqyrtuara është i pakët. Kjo për shkak se puna në kuadër të ndërgjegjësimit dhe edukimit të qytetarëve për ligjin për mbrojtjen kundër diskriminit dhe strukturën përkatëse nuk ka qenë i mjaftueshëm. Gjithashtu theksojmë se kur rastet që KMD ka vepruar exofficio është i pakët.

Komisioni shtetëror për ndihmën juridike (KSHDJ)

Nga informacionet e mbledhura dhe nga monitorimi i kryer në këtë instituicon ka rezultuar se KSHDJ ka filluar nga funksionimi,në një kohë që janë akomoduar me zyrën përkatëse dhe me stafin mbështetës.

Gjatë këtyre muajve të fundit janë hartuar aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e ligjit. Pavarësisht se Komisioni është ngritur dhe eficent nuk është mundësuar ofrimi i ndihmës juridike për target grupin e përcaktuar nga ligji, kjo për shkak dhe të fondeve jo të mjaftueshme të vëna në dispozicion dhe për shkak të mosmarrjes së vendimit të përcaktimit e listës së subjekteve që do të ofrojnë shërbimet ligjore. Kjo vonesë ka shkaktuar mungesë të ndihmës juridike dhe aksesit të qytetarëve për të ushtruar mjetet e ankimit efektiv.

Rekomandime

Shumë nga gjetjet tona janë të përsëritura prej shumë kohësh dhe megjithesë ato janë evidentuar nga shoqëria civile dhe nga organizma të tjera ndërkombëtare konstatohet se ndryshimet janë me ritme të ulta.

1. KSHH rekomandon KLD dhe Ministrinë e Drejtësisë dhe së bashku me Dhomën Kombëtare të Avokatisë për të përshpejtuar ritmet e veprimeve në drejtim të këtyre mangësive.
2. KSHH i sugjeron Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Drejtoritë përkatëse të kufirit dhe ate të sigurisë për marrjen e masave për problematikën e konstatuar sidomos lidhur me përmirësimin e infrastrukturës, plotësimin e personelit femër me uniformë, si dhe referimin e problemeve pranë institucioneve kompetente për tu dhënë zgjidhje nevojave të qytetarëve me qëllim respektimin e të drejtave të tyre.
3. KSHH i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrin masa për përmirësimin e kushteve infrastrukturore në ato institucione ku mungojnë, plotësimin e stafit shëndetësor në institucionet e referuara, marrjen e masave për trajtimin e përshtatshëm të personave të sëmurë mendorë si dhe i rekomandon edhe organit të akuzës verifikimin e rasteve për trajtim johuman dhe degradues.
4. KSHH rekomandon Prokurorinë e Përgjithshme për të marrë masat që vendimet për mjekimn të detyruar të mos ekzekutohen pranë Institucioneve të burgimit.
5. KSHH rekomandon organet e pushtetit vendor të shihet mundësia e inicimit të programeve të reja të strehimit social, të cilat të krijojnë mundësi për një akses më të madh të këtij komuniteti në këto programe; të rrisin mbështetjen dhe asistencën nga njësitë e pushtetit vendor për të gjitha familjet që aplikojnë për skemën e sigurimeve shoqërore si dhe të informojë në mënyrë të vazhdueshme Komunitetin.
6. KSHH rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse për depistimin e të gjithë popullsisë, me ekipe të përbëra nga mjekë specialist apo mjekë të familjes, psikologë, punonjës social dhe infermjer. Në sajë të këtij depistimi mund të rrisim efektivitetin e parandalimit dhe të minimizojmë problemet e shëndetit mendor.
7. KSHH rekomandon gjithashtu të merren masa nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë përkatëse për përmirësimin e infrastrukturës të spitaleve psikiatrike, të shtohet numri i personelit të mesëm në këto institucione, ngritjen e grupeve multidisiplinare si dhe trajnimin e personelit në fushën e shëndetit mendor për përmirësimin e situatës në këtë drejtim.
8. KSHH rekomandon KMD dhe KSHDJ të rrisin eficensen dhe rezultatet duke përdorur më mirë se deri tani forma të ndryshme pune dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2019 >
July
MoTuWeThFrSaSu
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031    
TOP