|
Raport mbi sesionin
e dytë të punës ofruar administratës së burgut të Lezhës
1
Në kuadër
të rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit dhe njohjes me të drejtat e njeriut
dhe zbatimit të ligjeve nga administrata e burgjeve, KSHH në datën 27 Dhjetor
2005, organizoi sesionin e dytë të punës me stafin e nivelit të lartë dhe të
mesëm drejtues të burgut të Lezhës. Në këtë sesion ofroi ekspertizën e tij
eksperti i huaj Z. Jan van den Brand, Drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë në
Agjencinë Kombëtare Hollandeze të institucioneve të Riedukimit si edhe ekspert i
Këshillit të Europës për Europën Qendrore dhe Lindore. Në këtë aktivitet KSHH u
përfaqësua nga Znj. Edlira Papavangjeli, Kordinatore
Programesh.
Metodologjia e përdorur në këtë sesion
ishte teknika pjesëmarrëse, ku konceptet teorike ishin të ndërlidhura me
praktikën dhe modelet e praktikave të mira. Pjesëmarrësit prezantuan sfidat e
tyre, çështjet kryesore që i shqetësonin dhe realitetin në këtë burg si edhe
mënyrën e përmirësimit të kësaj situate në një të ardhme të afërt.
Ky sesion pune u përqendrua në disa çështje të
rëndësishme të lidhura ngushtë me parimet dhe praktikat e mira që bëjnë të
mundur realizimin e sigurisë, qetësisë dhe rregullit në një burg. Pjesa e parë e
sesionit u përqëndrua në përkufizimin e koncepteve të tilla si siguria,
drejtësia dhe kontrolli, çdo të thotë të operosh në një burg të sigurt;
çnënkupton siguria për komunitetin në një këndvështrim më të gjerë; si mund të
arrihet siguria si për stafin e burgut ashtu edhe për të dënuarit; si realizohet
drejtësia burg dhe se çfarë do të thotë kjo në raport me trajtimin me humanitet
dhe në mënyrë të paanshme të personave të privuar nga liria.
Këto koncepte patën si referencë artikujt e shkruar nga
profesionistë ndërkombëtarë të vendeve të ndryshme të Europës si edhe ato u
shpjeguan nëpërmjet shembujve konkretë nga ana e ekspertit. Pjesëmarrësit punuan
lidhur me incidentet konkrete dhe reale që kishin ndodhur në institucionin e
tyre kohët e fundit dhe u trajnuan se si mund të analizonin në mënyrë objektive
këto situata nga secili sektor (sektori i sigurisë dhe sektori i edukimit),
rezultatet e tyre përkatëse dhe cilat do të mund të ishin mënyrat e parandalimit
të incidenteve të tilla në të ardhmen.
Pjesa e dytë e sesionit u përqendrua në çështjen e
mënyrës së përmirësimit të komunikimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet sektorit të
sigurisë dhe të edukimit në këtë institucion me garantimin e një trajtimi human
dhe të drejtë për të gjithë personat e privuar nga liria. Gjithashtu, u sollën
përvojat e vendeve të ndryshme lidhur me mënyrën se si mundet që ky bashkëpunim
të bëhet më i mirë nëpërmjet përmirësimit të strukturës së komunikimit ndërmjet
këtyre dy sektorëve në një burg.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte mundësia që iu dha
pjesëmarrësve për të punuar së bashku mbi një vlerësim shumë të rëndësishëm
lidhur me mangësitë dhe sfidat që përballen në këtë institucion të veçantë
riedukimi. Çdo sektor prezantoi çështjet që tashmë ia janë bërë prezent
Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nëpërmjet një letre të hartuar nga Z. Jan
van den Brand. Kjo do të shërbejë si një instrument presioni pozitiv dhe lobim
ndaj strukturave që hartojnë politika dhe marrin vendime në sistemin e burgjeve
shqiptare me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të situatës dhe të kushteve në
burgun e Lezhës për ta bërë atë një burg të sigurt dhe të qetë.
1 Ky aktivitet u zbatua në kuadër të
projektit të KSHH-së Reforma në burgje dhe roli i shoqërisë civile në
Shqipëri- Monitorimi i të drejtave të njeriut në burgje dhe vendet e
paraburgimit si dhe rritja e ndërgjegjësimit të administratës publike dhe
njohja e tyre me të drejtave e njeriut si edhe zbatimi i ligjeve në këtë
fushë i mbështetur financiarisht nga Komiteti Suedez i Helsinkit.
|