|
SULM
KUNDËR SHTYPIT TË LIRË
10.11.2001
Në mbrëmjen e datës 9 nëntor, botuesi
dhe gazetari i njohur Nikollë Lesi u bë objekt sulmi nga
ana e një personi që reagoi kundrejt një shkrimi të
botuar në gazetën Koha jonë, në të cilën Zoti Lesi
është drejtor. Ky sulm është një akt i rëndë dhune, jo
vetëm ndaj personit, por edhe ndaj shtypit të lirë,
liria e të cilit është parim kushtetues.
Sulmi bëhet aq më tepër serioz kur
kihet parasysh që Zoti Lesi në zgjedhjet e fundit të
qershorit është zgjedhur deputet në Kuvend. Është cënuar
kështu njëherazi edhe imuniteti i deputetit.Reagimi i
personit të lartpërmendur nuk mund të ketë asnjë
justifikim kur dihet që çdo njeri ka të drejtën e
replikës, të cilën mund ta kërkojë të botohet në të
njëjtën gazetë.
KSHH e denoncon këtë akt të dhunshëm
si një veprim të papërgjegjshëm që godet një nga parimet
bazë të shoqërisë demokratike, siç është fjala e lirë.
U përket autoriteteve kompetente të
veprojnë sipas ligjit dhe të vënë përpara përgjegjësisë
autorin e këtij sulmi.
|