|
Edhe media
duhet të respektojë ligjin
13.04.2006
Në median e shkruar
dhe atë elektronike, shpesh publikohen fotografi të
të pandehurve dhe dëshmitarëve të mitur të akuzuar
ose të dëmtuar nga vepra të ndryshme penale.
Publikime të tilla i ndalon ligji. Konkretisht, në
nenin 130 pika 4 të Kodit të Procedurës Penale
thuhet: Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i
fotografive të të pandehurve dhe dëshmitarëve të
mitur të akuzuar ose të dëmtuar nga vepra penale.
Gjykata mund të lejojë publikimin vetëm kur e
kërkojnë interesat e të miturit ose kur i mituri ka
mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Komiteti Shqiptar i
Helsinkit, e shikon të nevojshme ti sugjerojë
medias së shkruar dhe asaj elektronike që në të
ardhmen të respektojë dispozitën e mësipërme. Është
fjala për të akuzuarit dhe personat e dëmtuar (ose
viktimat) nga kjo apo ajo vepër penale që janë të
mitur. Në të kundërtën, mosrespektimi i kësaj
kërkese ligjore mund të shoqërohet me pasoja të
dëmshme të karakterit psikologjik, familjar dhe
social që në raste të veçanta mund të cënojë edhe të
drejtën e privatësisë.
KSHH mendon
gjithashtu se media duhet të jetë më e vëmendshme
edhe në ato raste kur ka të dhëna ose dihet se
vetvrasja ka ndodhur si pasojë e depresioneve
psikike sepse fenomene të tilla mund të ndikojnë
negativisht tek personat e tjerë.
Pavarësisht nga
objeksionet e mësipërme, KSHH vlerëson rolin e
rëndësishëm të medias si edhe të drejtën e saj të
pakontestueshme për të marrë dhe për ti transmetuar
opinionit publik informacionin përkatës.
|