|
Një
akt pa precedent
Një
anëtar qeverie godet një gazetar
16.10.2003
Ka bërë bujë të madhe në opinionin
shoqëror dhe në mediat, rasti i pashëmbullt i goditjes
të gazetarit Ilir Babaramo, nga Ministri i Rendit Luan
Rama. KSHH proteston energjikisht për këtë akt të
papërgjegjshëm të kryer nga vetë titullari i një
dikasteri që duhet të jetë në roje të mbrojtjes të
lirive dhe të drejtave të shtetasve.
Sipas njoftimeve ngjarja ka ndodhur
në prani të mjaft dëshmimtarëve që e konfirmojnë këtë
ndodhi, pavarsisht nga motivet dhe rrethanat e çështjes.
KSHH siç dihet ka reaguar publikisht
në ato raste kur punonjës të policisë kanë keqtrajtuar
shtetas të ndryshëm duke përfshirë këtu edhe të ndaluar
dhe të arrestuar. Ai pra, nuk mund të mos reagojë edhe
ndaj këtij rasti të pa precedent që cënon dinjitetin dhe
personalitetin e një gazetari.
KSHH merr shënim edhe për
gadishmërinë e shprehur nga z.Luan Rama që organi
kompetent ta hetojë dhe sqarojë deri në fund këtë
çështje.
KSHH sugjeron që problemi të
vlerësohet me seriozitetin më të madh dhe nëse
konfirmohet vërtetësia e ngjarjes nuk ka pse të ngurohet
në marrjen e masave përkatese.
Njerëzit para ligjit janë të gjithë
të barabartë. Ky është parimi kushtetues, zbatimi i të
cilit nuk privilegjon dhe nuk përjashton asnjë shtetas
qoftë ky edhe funksionar i shtetit.
|