|
Dhuna
e policisë ndaj shtetasve dhe përfaqësueve të medias
është e patolerueshme dhe e ndëshkueshme
Tiranë, më 19 shkurt 2006
Pas denoncimit të dhunës së policisë
ndaj banorëve të fshatit Nepravisht në rrethin
Gjirokastër, një rast tjetër dhune është shënuar
ndaj gazetarit të Gazetës Shqiptare dhe televizionit
NEWS 24, Gerti Xhaja dhe të atit të tij, më datë 18
shkurt 2006, në qytetin e Lushnjes. Deri më sot,
ende nuk janë bërë të ditura publikisht
përgjegjësitë e shkaktarëve të dhunës ndaj banorëve
të fshatit Nepravisht, ndërsa në rastit e dhunës së
ushtruar ndaj gazetarit dhe të atit të tij, është
kërkuar hetimi i shpejtë dhe i plotë i përgjegjësve
dhe ndëshkimi i tyre.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH-ja)
nuk paragjykon bazueshmërinë ligjore të kontrollit
të ushtruar në lokalin e prindit të gazetarit Gerti
Xhaja. Por, përdorimi i dhunës ndaj tyre në momentin
e kontrollit, të shoqërimit për në komisariat dhe në
ambjentet e komisariatit të policisë Lushnje
konsiderohet nga KSHH-ja arbitrare dhe të dënueshme.
Tërheq vëmendjen pretendimi i
gazetarit se ai është keqtrajtuar në prani të shefit
të krimeve të komisariatit të policisë. Për KSHH-në,
nëse ky pretendim i mësipërm do të rezultonte i
vërtetë, qoftë vetëm ky fakt përbën një tregues
tepër shqetësues, që përveç të tjerave, ndikon
negativisht në besimin e shtetasve ndaj ligjit dhe
institucioneve të ngarkuara për të respektuar dhe
mbrojtur të drejtat e shtetasve.
Ka të dhëna që dhuna ndaj shtetasit
Gerti Xhaja u ushtrua edhe pasi iu bë e qartë
policies se ai ushtronte profesionin e gazetarit. Ky
fakt e bën edhe më të rëndë dhe të shëmtuar aktin e
kryer.
Gjatë vitit të kaluar, KShH-ja disa
herë ka reaguar ndaj rasteve të tilla të dhunës dhe
arrin në përfundimin se në drejtim të respektimit të
të drejtave të shtetasve nga ana e policisë, masat
parandaluese nuk kanë qënë dhe vazhdojnë të mos jenë
në nivelin e kërkuar.
KShH-ja e sheh të nevojshme të
theksojë se në zbatim të ligjit dhe në interes të
luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të
organizuar në veçanti, organet kompetente, kur është
e nevojshme, ushtrojnë kontrolle në banesë, lokale,
mund të shoqërojnë për në komisariat, të ndalojnë
ose të arrestojnë persona të veçantë. Por
arbitrariteti, fyerja e dinjitetit të personit,
dhuna psikike dhe fizike janë të patolerueshme, të
pajustifikueshme dhe të dënueshme.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën
thirrje organeve të Ministrisë së Punëve të
Brendshme që raste të tilla, të përsëritura të mos i
trajtojë thjesht si shfaqje të veçuara, por si një
fenomen që kërkon të analizohet thellë dhe në mënyrë
të gjithanshme, duke i dhënë përparësi parandalimit
të tij nëpërmjet masave konkrete dhe efektive.
Në përfundim, KShH-ja e sheh të
nevojshme të nënvizojë dhe ti sugjerojë organeve
përkatësë të Ministrisë së Brendshme dhe zëdhënësve
të shtypit të kësaj Ministrie se në raste të
denoncimit të shtetasve për kryerjen e veprave
penale nga ana e punonjësve të policisë, në
deklaratat e tyre për shtyp ose në media të tregohen
të përmbajtur, sidomos në çështje që kanë të bëjnë
me provat, motivet, fajësinë ose pafajësinë e tyre.
KShH-ja u rikujton edhe njëherë
këtyre organeve se organ i ndjekjes penale është
vetëm organ i prokurorisë dhe organ që jep drejtësi
është vetëm gjykata.
|