|
Ngushtim
i hapësirës së veprimtarisë së mediave në Vlorë
06.11.2002
Korrespondenti i KSHH raportoi mbi
një vëzhgim për problemet që ndeshin sot media
elektronike dhe e shkruar në Vlorë.
Shqetësimi kryesor ka të bëjë me
mungesën e transparencës së administratës dhe organeve
të qeverisjes vendore. Gazetarë të ndryshëm ankohen se
nuk gjejnë vëmendjen e duhur. Sipas tyre ka kufizim të
së drejtës për informim, që është një e drejtë e
sanksionuar nga Kushtetuta. Ajo duhet të zejë një vend
të rëndësishëm në një shoqëri demokratike dhe pluraliste.
Gjithnjë sipas pretendimit të gazetarëve autoritetet
shtetërore nuk bëjnë publike vendimet dhe aktet e
ndryshme që miratojnë. Këto vërejtje bëhen veçanërisht
në adresë të Këshillit të Qarkut, atij të Bashkisë, të
organeve gjyqësore, organeve të policisë, që nuk
krijojnë kushtet e nevojshme që gazetarët të mund të
ndjekin drejtpërsëdrejti ngjarjet dhe veprimtarinë e
tyre. Në të gjithë këto organe nuk ka hapësirë për
mediat dhe ka relativisht pak mjedise të brendshme për
konferenca shtypi dhe për kontakte me përfaqësuesit e
mediave. Policia e Vlorës, megjithëse në organikën e saj
ka një punonjës të saj për këtë qëllim, rrallë komunikon
drejtpërsëdrejti me median. Shpesh ndodh që lajmet mbi
ngjarjet në qytet në rreth të vijnë përmes Ministrisë së
Rendit dhe të mediave të Tiranës. Drejtori i Policisë
është treguar i hapur dhe i disponueshëm, por detyra e
tij nuk e lejon gjithnjë të ketë kontakte të vazhdueshme
dhe të rregullta me gazetarët. Shpesh këta i marrin
lajmet në lokale.
Ka ankesë për gjykatën që nuk jep
asnjë informacion për median si dhe për disa organe që e
japin informacionin për mediat e preferuara.
KSHH e quan për detyrë që ta sjellë
këtë informacion në dijeni të organeve kompetente, qoftë
atyre vendore apo qëndrore. Aty shtrohen disa probleme
që meritojne vëmendje dhe që mund të gjejnë zgjidhje me
mirëkuptim midis palëve.
|