|
TË
RESPEKTOHET LIRIA E SHTYPIT, TË MOS CËNOHET JETA PRIVATE
07.02.2002
Disa ditë më parë gazeta "Albania" njoftoi se
kryeredaktorit të saj z. Ylli Rakipi i është bërë një
telefonatë anonime., me kërcënimin që t'u jepte fund
shkrimeve kundër kryetarit të Partisë Socialiste Fatos
Nano, përndryshe do ta paguante shtrenjtë. Kërcënimi i
pretenduar është një akt i paligjshëm dhe i dënueshëm
dhe si i tillë duhet të denoncohet në organet e
drejtësisë. Ky është propozimi i parë që bën KSHH.
Nga ana tjetër, KSHH vëren se gazeta "Albania" ka botuar
dhe vazhdon të botojë shkrime që kanë të bëjnë me jetën
private të liderit të Partisë Socialiste. Kjo i kapërcen
kufijtë e misionit të shtypit dhe të etikës gazetareske.
Shtypi dhe përgjithësisht media kanë plotësisht të
drejtë të ndjekin veprimtarinë e liderëve politikë dhe
të bëjnë komentet e kritikat e tyre. Liderët politikë
duhet të jenë krejt tolerantë kundrejt këtyre shkrimeve;
ata janë persona publikë më të ekspozuar ndaj opinionit
në përgjithësi dhe ky është një parim i njohur.
KSHH bën vërejtje lidhur me një praktikë të tillë që
ndeshet jo rrallë në shtyp. Shtypi nuk duhet të ndërhyjë
në jetën private të qytetarëve, duke përfshirë dhe atë
të personaliteteve.
|