|
Akt kriminal me rrezikshmëri të theksuar
shoqërore
Tiranë, më 19
Dhjetor 2005
Sipas njoftimeve të
shtypit në mbrëmjen e datës 18 Dhjetor 2005, rreth orës 21:30, në ballkonin e
katit të parë të godinës ku ndodhet redaksia e gazetës Shekulli në rrugën Don
Bosko Tiranë, persona të panjohur kanë hedhur lëndë eksplozive.
Komiteti Shqiptar i
Helsinkit e dënon fuqishëm këtë akt të rëndë, të rrezikshëm dhe banditesk që
rrezikon jetën e njerëzve, të gazetarëve të kësaj redaksie.
KSHH, edhe pse çështja
penale ka filluar, u sugjeron organeve përkatëse ta ndjekin atë me përparësi, të
zbulojnë dhe të vënë para përgjegjësisë penale autorët e këtij krimi.
KSHH, ashtu si edhe më
parë, ka dënuar aktet e dhunshme ndaj gazetarëve në të gjitha format që ato janë
shprehur. Në një shoqëri siç jemi edhe ne, media e shkruar dhe ajo elektronike
luajnë një rol të rëndësishëm edukativ, sensibilizues dhe parandalues të së
keqes.
KSHH konstaton me
kënaqësi se shtypi tek ne çdo ditë dhe më shumë merr tiparet e një mjeti të
pazëvendësueshëm që karakterizohet nga transparenca dhe guximi në shërbim të një
oponence konstruktive.
Edhe pse nuk dihen
motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje tronditëse dhe me rrezikshmëri të theksuar
shoqërore, KSHH është i bindur se akte të tilla direkt ose indirekt drejtohen
kundër shtypit të lirë.
KSHH shpreh me këtë
rast kënaqësinë e vet që rastësisht akti i mësipërm nuk u shoqërua me dëmtimin e
shëndetit dhe jetës së gazetarëve.
KSHH bashkohet me
shqetësimin e gazetarëve të Shekullit dhe u uron atyre që edhe në të ardhmen
të përmbushin me dinjitet misionin e tyre sa të rëndësishëm aq edhe të dobishëm.
|