KSHH

TEL/FAX

++355(4)233671

Misioni I KSHH-sė

Misioni kryesor I KSHH-sė ėshtė vėzhgimi I respektimit tė tė drejtave dhe lirive tė njeriut dhe reagimi pėr rivėnien e tyre nė vend, sensibilizimi I shtetasve mbi mbrojtjen e tė drejtave dhe lirive tė tyre; pėrmirėsimi I legjislacionit dhe praktikės pėr zbatimin e ligjit nėpėrmjet oponencave dhe rekomandimeve si nė fazėn e draftimit tė tyre, ashtu edhe gjatė zbatimit tė tyre.

 Integrimi i Shqipėrisė dhe shoqėria civile

 Emigrantėt

 Media

 Zgjedhjet

 Tė miturit

 Minoritetet

 Policia

 Edukimi ligjor

 Klinika Ligjore Falas

 Burgjet dhe vendet e paraburgimit

 Shėndeti dhe tė drejtat e njeriut

 Ekzekutimi i vendimeve gjyqėsore

 Letra tė KSHH

 Informacione tė tjera

 PROJEKTE
 RAPORTE
 DEKLARATA

   ZGJEDHJET PARLAMENTARE

Raport pėrfundimtar pėr ecurinė e procesit zgjedhor per zgjedhjet parlamentare tė 3 korrikut 2005 nė Shqipėri

STRATEGJIA 2007-2010

Janar 2006  KSHH realizoi njė vetvlerėsim tė punės sė organizatės

Forcimi organizativ dhe hartimi i strategjisė tė re pėr periudhėn 2007-2010

  TAKIME KESHILLIMORE

Nė kuadėr tė pėrmirėsimit tė respektimit tė tė drejtave tė tė dėnuarve dhe rritjen e efektivitetit tė personelit tė burgjeve...

   

OPINION

Preçedent me pasoja të dëmshme

 

Nga Niazi Jaho

Marrëveshja partiake PS - PD, për ndryshime në KQZ, e realizuar me Ligjin datë 21 Tetor 2004, i dha fund, qoftë edhe përkohësisht, debatit për ndryshimin e nenit 154 të Kushtetutës. Në këtë vështrim, çdo dispozitë që ka të bëjë me KQZ-në duhet të formulohet detyrimisht në përputhje me dispozitën e mësipërme Kushtetutese.

Fillimisht, të gjitha variantet e paraqitura për ndryshime në KQZ, ose, siç thuhet, për balancimin politik të tij, nuk u pranuan me arsyetimin se ato binin ndesh me Kushtetutën. Sikur të realizohej tentativa e variantit të dorëheqjes të anëtarit të KQZ-së, ndoshta nuk do të dilte nevoja e miratimit të ligjit të mësipërm. Është llogjika elementare që të bën të arrish në këtë përfundim edhe pse dikush mund të thotë se ky është supozim.

Konsensuset apo marrëveshjet partiake, siç dihet, në disa momente luajnë një rol të rëndësishëm. Kur ato janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën duhen mbështetur dhe inkurajuar. Ekzistenca ose mungesa e vullnetit politik, sidomos në hartimin dhe miratimin e legjislacionit zgjedhor, mund të ndikojnë përkatësisht në mënyrë pozitive ose negative. Këtë e ka vërtetuar praktika. Tek subjektet zgjedhore është e nevojshme të krijohet besimi se ligji nuk do të favorizojë njërën palë në dëm të tjetrës. Ky element është faktor i rëndësishëm që zgjedhjet e lira dhe demokratike të mos kontestohen. Por, ne mendojmë gjithashtu se, asnjë marrëveshje (qoftë kjo edhe midis dy partive të mëdha, madje edhe kur pasqyrohet në ligje), nuk mund të ketë jetëgjatësi dhe stabilitet, në qoftë se bie ndesh me Kushtetutën apo me dispozita të tjera ligjore në zbatim të saj. Është fakt i pakontestuesshëm se OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias, e konsideruan të dështuar marrëveshjen PS - PD që nëpërmjet formulimit të nenit 22 të Kodit Zgjedhor, synuan të krijonin balanca politike në përbërjen e KQZ-së. Organizmat e mësipërme arritën në këtë konkluzion pikërisht sepse dispozita e mësipërme binte ndesh me nenin 154 të Kushtetutës. Në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, jepen argumenta bindëse dhe të detajuara përse duhej riformuluar neni 22 i Kodit Zgjedhor (shih rekomandimet datë 23 prill 2004, përkthim shqip faqe 6-7).

I përmendëm këto, për të bërë më të qartë vërejtjet tona lidhur me Ligjin datë 21.10.2004 që ndryshon nenin 26 të Kodit Zgjedhor dhe që pas nenit 181 shton nenin 181/1. Ndërsa në nenin e parë bëhet fjalë për përtëritjen e përbërjes dhe zëvendësimin e anëtarëve të KQZ-së, në të dytin flitet për përfundimin e mandatit të anëtarëve të KQZ-së në funksion të përtëritjes së përbërjes së tij.

Në pikën 2 të nenit 154 të Kushtetuës thuhet se “Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përtërihet çdo tre vjet sipas procedurës së përcaktuar me ligje” megjithëse anëtari i KQZ-së zgjidhet për një mandat 7 vjeçar. Në këtë drejtim, nuk ka asnjë kontradiktë. Në nenin 25 pika 4 e Kodit të vitit 2000, thuhet se: “Anëtari i tretë i zgjedhur fillimisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe anëtarë të  rinj të zgjedhur sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, zëvendësohen nga organi përkatës në fund të mandatit të tyre shtatëvjeçar”. Kodi i vitit 2000 u shfuqizua, ndërsa në Kodin e vitit 2003, në nenin 26 pika 1 thuhet: ”Mandati i anëtarit të KQZ-së mbaron në të njëjtën date, të të njëjtit muaj, të vitit të shtatë pas zgjedhjes së tij”. Kjo do të thotë se ky nen i përmbahet pikës 1 të nenit 154 të Kushtetutës ku thuhet se anëtarët e KQZ-së zgjidhen për një mandat 7 vjeçar.

Ligji datë 21.10.2004 ndryshoi nenin 26 dhe caktoi rregulla të tjera të përtëritjes dhe përfundimit të mandatit që duhen zbatuar në dy faza dhe kontretisht, mandati i tre anëtarëve të KQZ-së mbaron në 31 Mars 2006, ndërsa mandati i katër anëtarëve të KQZ-së mbaron në 31 Mars 2010. Për procedurën e përtëritjes (me short) nuk thuhet asgjë.

Për periudhën 1 - 31 Mars 2003, me të drejtë nuk bëhet fjalë, sepse ajo ka kaluar. Kërkesat ligjore për këtë periudhë janë zbatuar, ndërsa Kodi i vitit 2000 është shfuqizuar.

Është e pakonceptueshme që neni 181/1, pika 2 e Ligjit 21.10.2004 i referohet Kodit të vitit 2000 dhe përcakton mbarimin e mandatit të një anëtari të KQZ-së megjithëse, mandati i tij është përcaktuar në zbatim të ligjit të kohës. Kuvendi ka të drejtë të bëjë ndryshime apo shtesa në dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, por ato nuk mund të kenë fuqi prapavepruese në çështjet e zgjedhura sipas dispozitave të shfuqizuara. Kur lexon përmbajtjen e pikës 2 të nenit 181/1 të Ligjit datë 21.10.2004 që cakton mbarimin e mandatit të anëtarit të KQZ-së (çështje e zgjidhur sipas nenit 25 të Kodit të shfuqizuar) krijohet përshtypja se Kuvendi është pozicionuar në vlerësimin e kësaj dispozite (pikës 4 të nenit të mësipërm) si të papajtueshme me Kushtetutën. Në këtë mënyrë, ai ka marrë atribute që nuk i takojnë dhe që me siguri lidhur me këtë çështje nuk do të investohej as Gjykata Kushtetuese.

Në qoftë se subjektet e legjitimuar do të arrinin në përfundimin se duhej sqaruar çështja se çfarë duhej kuptuar me përtëritjen çdo tre vjet të përbërjes të KQZ-së (pika 2 e nenit 154 të Kushtetutës) në raport me mandatin 7 vjeçar të tyre mund t’i drejtoheshin për interpretim Gjykatës Kushtetuese, por jo të interpretonin vetë Kushtetutën. E themi këtë, sepse Kuvendi nuk e ka quajtur të ligjshme dhe kushtetuese mandatin 7 vjeçar të një anëtari të KQZ-së të caktuar sipas nenit 25 të Kodit të vitit 2000 të shfuqizuar.

Është gjithashtu e pakonceptueshme fakti se si, në ç’baza dhe në çfarë kriteresh u vlerësua dhe u caktua mbarimi i mandatit të anëtarit të KQZ-së ditën e hyrjes në fuqi të ligjit. Përse ky mandat duhet të mbaronte në këtë afat dhe jo më vonë kështu p.sh. në 2005 ose 2006 ?

Cili është qëllimi dhe efekti i zbatimit të pikës 2 të nenit 181/1, korrigjim i zbatimit të gabuar të ligjit të mëparshëm i shfuqizuar apo ndërprerja e parakohshme e mandatit për të realizuar marrëveshjen PS - PD ? Mendoj se është e dyta. Në dispozitën e mësipërme thuhet se anëtari i KQZ-së nuk është përfshirë në përtëritje sipas pikave 1 dhe 2 të nenit 25 të Kodit Zgjedhor të vitit 2000. E vërteta nuk është kështu. Në procedurën e ripërtëritjes janë përfshirë të gjithë, por rezulton që njëri nga shtatë anëtarët do të zëvendësohej në fund të mandatit 7 vjeçar. Procedura ligjore e përcaktuar në nenin 25 të Kodit të vitit 2000 garantonte vazhdimësinë, ripërtëritjen, funksionimin normal dhe cilësor të KQZ-së. Kjo procedurë ishte në përputhje me Kushtetutën. Vlen të theksohet se as në raportin e OSBE/ODIHR-it të vitit 2001 dhe as në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias të Prillit 2004, nuk është bërë ndonjë vërejtje lidhur me ripërtëritjen e anëtarëve të KQZ-së apo mandatin e ndonjë anëtari të këtij Komisioni.

Nocioni ligjor i ripërtëritjes, jo vetëm për KQZ-në, por edhe për Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht nga specifika e tyre është i njëjtë. Ai nuk presupozon kohëzgjatje të barabartë të mandatit. Vetë fakti se në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin mbi “Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” parashikohen edhe rastet e mbarimit para kohe të mandatit përkatësisht të anëtarëve të KQZ-së dhe të Gjykatës Kushtetuese, anëtarët zëvendësues qëndrojnë në këto detyra deri në mbarimin e mandatit të anëtarit të larguar para kohe. Lidhur me këtë, ka interes t’i referohemi nenit 82 të Ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” ku thuhet se mandati i gjyqtarëve të zgjedhur në vitin 1992, mbaron në vitin 2001, ndërsa gjyqtarët e tjerë të zgjedhur sipas Ligjit Nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” me ndryshimet dhe plotësimet përkatëse, qëndrojnë në këtë detyrë 12 vjet nga data e zgjedhjes. Kemi parasysh se, në bazë të nenit 125 të Kushtetutës, përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet. Si Gjykata Kushtetuese edhe KQZ-ja, siç dihet, janë organe kushtetuese dhe mandati i anëtarëve të tyre është përcaktuar në Kushtetutë. Procedurat ligjore të ripërtëritjes dhe të mbarimit para kohe të mandatit janë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa diferencat lidhur me kohën e mbarimit të mandatit nuk i kundërvihen asaj. Në këtë aspekt, duhej vlerësuar edhe mandati 7 vjeçar i anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati ditën e hyrjes në fuqi të Ligjit datë 21.10.2004.

Një çështje tjetër që vlen të trajtohet është referimi tek neni 22 pika 3 gërma a) e Kodit Zgjedhor lidhur me zëvëndësimin e anëtarit të KQZ-së që i mbaron mandati. Është e vërtetë se neni 22 i Kodit Zgjedhor derisa është në fuqi duhet zbatuar. Mirëpo, referimi tek ky nen, krijon përshtypjen se nuk mendohet që ai të riformulohet, se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për riformulimin e tij, nuk do të zbatohen. Si rrjedhim, edhe pse përmbajtja e nenit 22 të Kodit Zgjedhor ishte dhe është antikushtetuese, preferohet që ai të mos preket, sepse u arrit qëllimi nëpërmjet ndërprerjes të paligjshme të mandatit të anëtarit të KQZ-së të zgjedhur nga KLD-ja.

Në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it atakohen rreth 84 nene të Kodit Zgjedhor. Midis tyre ka edhe dispozita antikushtetuese. Në këto të fundit përfshihet edhe neni 22. Kemi mendimin se, prioritet për riformulime apo shfuqizime duhet të kenë ato dispozita që konsiderohen antikushtetuese. Në qoftë se në të ardhmen do të arrihej konsensusi i gjerë d.m.th. vullneti politik për të krijuar një KQZ me përfaqësues të propozuar nga partitë politike, mendojmë se e vetmja rrugë e ligjshme dhe kushtetuese do të ishte shfuqizimi i neneve 153 dhe 154 të Kushtetutës. Do të ishte humbje kohe në qoftë se do të mendohej se kjo mund të arrihej nëpërmjet arnimeve ligjore të cilat mund të çonin në acarimin e klimës politike dhe konflikteve institucionale. Po të shfuqizoheshin nenet 153 dhe 154 të Kushtetutës, përbërja e KQZ-së zgjidhej me dispozita të Kodit Zgjedhor ashtu siç veprohet me Komisionet e tjera Zgjedhore.

Në nenin 181/1 të Ligjit të titulluar “Rishikimi i sistemit të zgjedhjeve” në pikën 1 thuhet se dispozitat e këtij Kodi Zgjedhor shfuqizohen ditën e nesërme të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e vitit 2005. Për këtë rezervohem të shfaq mendim, sepse nuk jemi të sigurt nëse ky është formulim i saktë ose jo. Apo mos vallë kemi të bëjmë me ndonjë lapsus ose gabim material që mund të korrigjohet ? Është e pakuptishme përse pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005 duhet të shfuqizohet Kodi Zgjedhor aq më tepër që OSBE/ODIHR-i dhe Komsioni i Venecias kanë rekomanduar përmirësimin e tij. Ligji i datës 21.10.2004 u miratua me procedurë të përshpjetuar. Kjo ndoshta është kushtëzuar nga fakti se me përgatitjet për reformën zgjedhore dhe në mënyrë të veçantë me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it jemi të vonuar. Megjithëkëtë, kemi bindjen se sikur ky ligj të ishte bërë objekt diskutimi dhe debati në rrethe të gjera specialistësh dhe ekspertësh me përvojë në këtë fushë, kontributi i tyre modest mund të ndikonte në përmirësimin e projektit në aspektit ligjor dhe kushtetues.

Në përfundim, e shikojmë të nevojshme të përmendim se problemi mund të trajtohet si politikisht edhe juridikisht. Jam i prirur për të dytën. E di se majft politikanë, partiakë, deputetë dhe ndonjë specialist nuk do të pajtohen me vërejtjet e paraqitura në këtë shkrim. Kjo është normale. Ka edhe çështje të diskutueshme. E rëndësishme është të ballafaqohen argumentat, sepse po munguan ato, problemi politizohet. Mua p.sh. më pëlqeu diskutimi i një deputeti që ishte pro miratimit të projektit, dhe sugjeroi të mos vazhdohej me ligjërata të përgjithshme. Me sa munda të kuptoj, i vetmi shqetësim i tij ishte nëse dispozitat e këtij projekti ishin ose jo në përputhje me Kushtetutën. Ky pra, është edhe shqetësimi i shumë të tjerëve që nuk janë as politikanë dhe as deputetë.  

 

Komiteti Shqiptar tė Helsinkit  siguron anonimatin deri nė momentin kur, vetė personi ankues kėrkon tė bėjė publike tė dhėnat e tij

 

Nė rast se mendoni se tė drejtat tuaja shkelen nga policia, administrata e burgjeve ose struktura tė tjera NA TELEFONONI

... i plote

 

Tetor - Dhjetor 2008

Korrik - shtator 2008

Prill-Qershor 2008

Janar-Mars 2008

Tetor - Dhjetor 2007

KSHH © Copyright 2002, All Rights Reserved.

KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT, 

Adresa: Rr. Gjin Bue Shpata, Pll. 5/1, Ap. 4, Tirana, Albania   P.O.Box / Kutia Postare No.1752  

 Tel/Fax: +355 (0) 4 2233671 E-mail: office@ahc.org.al  web address: www.ahc.org.al

Mesothelioma Attorney
Numri i vizitorėve nga 20 shkurti 2007