|
DHUNË
E USHTRUAR NGA FORCAT SPECIALE
11.01.2002
Me rastin e një grindjeje të rëndomtë
ndërmjet dy familjeve më 6 janar 2002 në zonën e
Kombinatit, ka patur një ndërhyrje të paligjshme nga ana
e forcave speciale. Një polic ka marrë anën e të
vëllait në këtë grindje, por dhe ka thirrur në ndihmë
shokët e tij të forcave speciale për të zgjidhur me
forcë këtë grindje. Një furgon policie ka shkuar në
vend, ka kërcënuar me armë dhe ka keqtrajtuar anëtarët e
familjes në grindje. Nga verifikimet e kryera prej
Komitetit Shqiptar të Helsinkit, rezultoi se pretendimet
e palës së dëmtuar janë mëse të vërteta.
Përveç kësaj ndërhyrjeje të dhunshme
është e palejueshme dhe e paligjshme edhe indiferenca e
treguar, me këtë rast, nga punonjësit e Komisariatit nr.
2, të cilët nuk e kanë denoncuar në organet përkatëse
këtë sjellje brutale, duke pretenduar se konflikti
tanimë ishte zgjidhur ndërmjet policëve dhe viktimave.
KSHH e denoncon këtë qëndrim të
forcave të policisë që është një shkelje flagrante e
normave të sjelljes së forcave speciale të repartit të
policisë 711 dhe e ligjeve në fuqi dhe i kërkon
organeve kompetente marrjen e masave përkatëse.
|