|
RASTE
TË PËRSËRITURA TË PËRDORIMIT TË DHUNËS NGA ANA E
POLICISË
26.04.2002
Korrespondenti i KSHH njofton nga
Fieri për një rast tjetër të përdorimit të dhunës nga
ana e policisë. Dhuna është ushtruar kundrejt një
qytetari me emrin Feti Kanani. Korrespondenti ynë ka
patur një takim të veçantë me të.
Tre policë e kanë ndaluar atë që
javën e parë të prillit në pazarin e qytetit për
kontrollim të dokumentave. E kanë ndaluar atë dhe e kanë
shoqëruar në stacionin e policisë. Gjatë shoqërimit
përveç që është fyer me fjalë të ulta ndaj tij vetë dhe
familjes së tij, është goditur me grushta. Njëri prej
policëve Ylli Myrto ka përdorur shkopin e gomës dhe e ka
goditur rëndë duke i lënë shenja në trup, në fytyrë dhe
në këmbë. Dëshmitarë kanë qenë shumë qytetarë që ishin
aty për ditë pazari. Gjatë shoqërimit për në stacionin e
policisë është qëlluar herë pas here. Është mbyllur në
dhomat e paraburgimit ku u mbajt tri orë. I ndaluari
pohon se në këto ambiente ai nuk ka qenë objekt
keqtrajtimi.
Pasi është lënë i lirë qytetari
Kanani, i fyer dhe i revoltuar nga sjellja brutale e
këtyre punonjësve të policisë dhe veçanërisht e policit
Ylli Murto, i është drejtuar me ankesë me shkrim
Drejtorisë së Policië duke bashkangjitur edhe provat e
keqtrajtimit, raportin mjeko-ligjor dhe fotografi me
shenjat e dëmtimit nga goditjet me grushta dhe me
shkopinj gome.
Ky është një rast tjetër që u shtohet
rasteve të shumta të përdorimit të dhunës nga ana e
policisë. KSHH ka shprehur shqetësimin e një opinioni të
gjërë duke i denoncuar këto raste, duke kërkuar marrjen
e masave të përshtatshme nga organet përkatëse. Nga kjo
pikëpamje është për t'u vlerësuar qëndrimi i Drejtorisë
së Policisë së Fierit, e cila ia kaloi çëshjtjen
Prokurorisë për të hapur proces kundër policisë të
implikuar në këtë ngjarje.
|