|
Dhunë
policore shkelje flagrante e ligjit
Në adresë të KSHH kanë mbërritur dy
letra. Njëra nga Kryepleqësia e fshatit Borje të rrethit
të Kukësit dhe tjetra nga korrespondenti i KSHH nga
Kukësi.
Në këto dy letra parashtrohen ankime
të rënda kundrejt sjelljes brutale të policisë me rastin
e arratisjes nga burgu i Kukësit i dy të burgosurve, të
dy nga fshati Borje të dënuar me afate të gjata heqje
lirie nga 13 deri 15 vjet. Që nga ajo ditë policia e
Kukësit është vënë në kërkim të dy të arratisurve, ashtu
siç e kërkon ligji. Këta dy elementë të rrezikshëm duhet
përsëri të kapen dhe të vuajnë dënimin sipas vendimeve
përkatëse gjyqësore.
Mirëpo, njoftohet se forcat e
policisë, duke u përpjekur të shtien në dorë kriminelët
dhe bashkëpunëtorët e tyre që mund të kenë ndihmuar në
arratisje, kanë kaluar kompetencat, nuk i janë
përmbajtur ligjit dhe kanë krijuar një situatë të rëndë
në fshatin Borje. Banorët e fshatit janë ankuar se
forcat e rendit kanë krijuar një psikozë dhune dhe ata
po e vuajnë rëndë këtë gjendje. Forcat e rendit i kanë
lejuar vetes sjellje të vrazhda dhe kërcënime kundër
banorëve. Janë bërë bastisje në një numër shtëpish ku
janë shkaktuar edhe dëme. Janë bërë edhe ndalime.
Banorët e fshatit Borje janë tepër të
tronditur nga kjo gjendje të cilën ata e quajnë që ka
kaluar caqet e durimit dhe tolerimit.
KSHH denoncon çdo dhunë policore që
ushtrohet në kundërshtim me ligjin dhe i drejtohet
Prokurorisë së Përgjithshme ta shqyrtojë seriozisht këtë
çështje dhe të marrë masat e nevojshme për të vënë
ligjin në vend.
|