|
Komiteti Shqiptar
i Helsinkit në 15 Vjetorin e tij
Të nderuar
pjesëmarrës,
Menjëherë pas themelimit të Partisë Demokratike, më 19 Dhjetor 1990, u krijua
Forumi për të drejtat e njeriut, organizata e parë jo-qeveritare, jopartiake
dhe e pavarur. Ishte merita e disa intelektualëve tanë që e morën këtë nismë aq
të domosdoshme në kushtet pas përmbysjes së regjimit totalitarist.
Dokumenti ose akti i parë publik i kësaj organizate ishte thirrja për lirimin e
të dënuarve dhe të internuarve për motive politike.
Qysh
në fillim, Forumi i të Drejtave të Njeriut gjeti mbështetjen dhe inkurajimin e
opinionit të gjerë shoqëror. Veprimtaria e tij pati jehonë edhe në botën
demokratike. Ai u përshëndet sidomos nga organizatat e tjera simotra
jo-qeveritare që vepronin në të njëjtën fushë. Kjo ishte edhe arsyeja që në Mars
të vitit 1992, Forumi Shqiptar, u pranua si anëtar i Federatës Ndërkombëtare të
Helsinkit dhe u emërtua Komiteti Shqiptar i Helsinkit. KSHH vepron në bazë të
statutit. Misioni i tij kryesor ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe të
drejtave të ligjshme të shtetasve që sanksionohen në dokumentat ndërkombëtarë
dhe legjislacionin tonë të brendshëm, kryesisht në dispozitat kushtetuese të
Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka
qenë e lehtë që KSHH-ja të krijonte besimin tek njerëzit. Për këtë duheshin
veprime konkrete, të ekuilibruara, të paanshme dhe të guximshme.
Në
këto 15 vjet, KSHH-ja është ndeshur edhe me pengesa, edhe me reagime negative në
adresë të tij, edhe me sulme denigruese. Ka patur raste që oponenca konstruktive
nuk është kuptuar drejt nga organet shtetërore,
madje
pjesërisht edhe nga ndonjë media e shkruar. Megjithatë, asnjëherë KSHH nuk është
tërhequr, nuk është ndikuar nga politika, pavarësisht nga rotacionet e pushtetit.
KSHH-ja nuk ka pretenduar dhe nuk pretendon të mbulojë të gjitha fushat ku
vepron legjislacioni që ka të bëjë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të
shtetasve. Si fushë prioritare për KSHH-në kanë qenë dhe mbeten vëzhgimet e
zgjedhjeve periodike, respektimi i të drejtave të të dënuarve dhe të
paraburgosurve, respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare, aspekte të
veçanta të respektimit të drejtave të shtetasve në sistemin gjyqësor, etj.
Organi
vendimarrës i KSHH-së është mbledhja e përgjithshme e tij që zgjedh bordin dhe
drejtorin ekzekutiv. Me një staf administrativ prej pesë personash aktiviteti do
të ishte shumë i kufizuar. Në qoftë se KSHH-ja ka arritur disa rezultate modeste
në punën e tij, janë aktivistët e shumtë të tij, të rinj dhe të reja, studentë,
intelektualë dhe specialistë të fushave të ndryshme që kryesisht, në mënyrë
vullnetare, janë angazhuar në zbatimin e projekteve.
Në
metodologjinë e punës së KSHH-së bëjnë pjesë reagimet publike, ndërhyrjet e
formave të ndryshme në përputhje me ligjin, botimi i raporteve periodike,
organizimi i seminareve dhe tryezave të rrumbullakëta, etj.
KSHH,
edhe pse konstaton shkelje dhe arbritaritete, nuk praktikon dhe nuk do të
praktikojë organizimin ose nxitjen e tubimeve dhe protestave publike. Ai qëndron
larg aktiviteteve politike. Në këtë vështrim, KSHH ka qenë dhe mbetet i hapur
për të bashkëpunuar edhe me organizatat e tjera jo-fitimprurëse, duke respektuar
specifikën e çdo organizate të sanksionuar në statutet e tyre.
KSHH,
duke bërë bilancin e aktivitetit të tij 15 vjeçar, konstaton me kënaqësi se tek
ne janë bërë hapa të ndjeshme përpara në fushën e respektimit të lirive dhe të
drejtave të shtetasve. Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu se edhe
konceptet mbi rolin e OJF-ve në një shoqëri demokratike kanë ndryshuar.
Ne
vëmë re me kënaqësi se bashkëpunimi i KSHH-së me organet shtetërore duke
përfshirë këtu edhe parlamentin dhe sidomos komisionet e ligjeve, të rendit dhe
SHISH-it, të të drejtave të njeriut ka qenë i mirë.
Oponencat ligjore të KSHH-së lidhur me disa projektligje të rëndësishme janë
vlerësuar, madje në mjaft raste janë marrë parasysh. Ne do të dëshironim që ky
bashkëpunim të vazhdonte edhe në të ardhmen.
Megjithatë, KSHH mendon se në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të
njeriut ka ende shumë për të bërë. E themi këtë edhe për faktin se ky është një
tregues i rëndësishëm dhe i ndjeshëm, element i domosdoshëm për integrimin e
vendit tonë në familjen e madhe Evropiane.
Në
përfundim, më lejoni që në emër të KSHH-së të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit
në këtë përvjetor, aktivistët e shumtë të KSHH-së, në mënyrë të veçantë
themeluesit e Forumit të të Drejtave të Njeriut, të gjithë ata shtetas që me
sinjalizimet dhe ankimet e tyre na kanë vënë në lëvizje, por edhe ata që na kanë
kritikuar me dëshirën e mirë për gjallërimin e mëtejshëm të veprimtarisë së
KSHH-së.
Në
emër të KSHH-së gjej rastin të falenderoj donatorët e huaj që kanë vlerësuar
punën e KSHH-së dhe e kanë mbështetur atë jo vetëm financiarisht, por edhe me
asistencën e herëpashershme për ngritjen cilësore të aktiviteteve të ndryshme të
KSHH-së në zbatim të praktikave më të efektshme bashkëkohore.
Më
lejoni gjithashtu që me këtë rast të falenderoj përfaqësuesit e medias së
shkruar dhe elektronike që herë pas here na kanë dhënë mundësinë e publikimit të
deklaratave ose prononcimeve publike në të cilat është pasqyruar qëndrimi i
KSHH-së.
|