Listat e Zgjedhësve: bazë për votim
Niazi Jaho, Studiues i legjislacionit zgjedhor


– Z. Jaho, Përse listat e zgjedhësve i cilësoni si bazë për votim?

– Sepse listat e zgjedhësve janë dokumente kryesore ose dokumentet zyrtare në bazë të të cilave zgjedhësi ushtron të drejtën e votës. Nëse në listën e zgjedhësve nuk figuron emri i zgjedhësit ai nuk mund të votojë. Përjashtim bën rasti kur zgjedhësi pajiset me një vendim gjyqësor që voton edhe pa qënë i regjistruar në listën e zgjedhësve.

– Po afrojnë zgjedhjet e 18 Qershorit 2017. Në fillim të Janarit të këtij viti janë publikuar listat e para të zgjedhësve. Sipas disa të dhënave të pjesshme rezulton se numri i zgjedhësve që tregojnë interes për t’u njohur me këto lista është relativisht i paktë. E njëjta gjë është vërejtur edhe në muajin Shkurt. Si mund të shpjegohet kjo?

– Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet. Kam mendimin se mungesa e sensibilizimit të zgjedhëvse për të nxitur dhe ngjallur interesimin e tyre për t’u njohur me këto lista thuajse është i pandieshëm. Nuk ka asnjë informacion në median e shkruar dhe atë elektronike për këtë cështje. Asnjë konstatim nëse këto lista janë publikuar brenda afateve të përcaktuara në ligj dhe në vende të aksesueshme lirisht nga zgjedhësit. Nuk thuhet asgjë nëse ka zgjedhës që, pasi janë njohur me këto lista nuk e kanë gjetur emrin e tyre dhe kanë kërkuar të bëhen ndryshimet përkatëse në to.

Veç kësaj, një numër jo i vogël zgjedhësish nuk shkojnë për t’u njohur me listat e zgjedhësve të bindur se nuk ka pse të mos jenë përfshirë në to, sepse ata janë të regjistruar në zyrat përkatëse të gjëndjes civile dhe kanë votuar edhe në zgjedhjet e mëparshme. Nuk mund të përjashtohen edhe rastet e indiferentizmit që ka të bëjë me hallet e njerëzve, me preukopacionet personale dhe familjare, me vështirësitë ekonomike, etj.

– Ndoshta listat e zgjedhësve të bazuara në regjistrin e gjëndjes civile janë të plota dhe të sakta dhe nuk del nevoja që zgjedhësit të njihen me to. Ç’mendoni për këtë?

– Vetë fjala “ndoshta” ka elementë të supozimit. Nëse do t’i referohemi praktikës del se, asnjëherë (për shkaqe të ndryshme) ato nuk kanë qënë as të plota dhe as të sakta, prandaj del nevoja që zgjedhësit të njihen me to. Është kjo arsyeja përse ligjbërësi në Kodin Zgjedhor ka parashikuar që ato të publikohen disa herë dhe pas kësaj të publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve.

– Lidhur me këtë çështje, a keni parasysh se mund të ketë raste që, nëpunësit e zyrave të gjëndjes civile dhe kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, me dashje mund të mos përfshijnë në listë persona që janë të regjistruar si banorë të njësive përkatëse ose me dashje të përfshijnë në to, persona që nuk figurojnë në regjistrin e gjëndjes civile?

– Raste të tilla nuk përjashtohen dhe kur ato vërtetohen, personat fajtorë dënohen penalisht. Në zgjedhjet e kaluara ka patur raste të gabimeve njerzore në hartimin e listave të shkaktura nga pakujdesia. Kështu p.sh., emri i zgjedhësit ka qënë i saktë ndërsa mbiemri jo, nuk është përfshirë në listë shtetasi që ditën e zgjedhjeve kishte mbushur moshën 18 vjeç, ose kur zgjedhësi ka figuruar në dy lista zgjedhore, etj.

– Ndoshta ka zgjedhës që nuk shkojnë për t’u njohur me listat e publikuara të zgjedhësve, sepse informacionin e marrin nëpërmjet faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose të KQZ-së?

– Natyrisht që ka edhe raste të tilla. Por, mendoj se shumica e zgjedhësve nuk e kanë këtë mundësi, madje jo vetëm në zonat rurale, por edhe në ato urbane. Por pavarësisht nga kjo edhe ata që informacionin do ta marrin nëpërmjet faqes së internetit, nëse emri i tyre ose i pjestarëve të familjes së tij do të mungojë, për korigjimin e listës do të duhet t’i drejtohen zyrave përkatëse të gjëndjes civile.

– KQZ-ja a ka për detyrë të kujdeset edhe për edukimin zgjedhor të shtetasve. Nëse po, a duhet që në programet e saj të përfshihen edhe nenet ku bëhet fjalë për publikimin e listave të zgjedhësve, mundësitë për korigjimin e tyre, etj?

– Në nenin 21 të Kodit Zgjedhor ku përcaktohen kompetencat e KQZ-së (parashikohen gjithsej 26 kompetenca), në pikën 9 të këtij neni thuhet se: “…KQZ-ja merr masa dhe organizon edhe programe për edukimin zgjedhor të shtetasve.” Me sa më kujtohet nuk di që në zgjedhjet e mëparshme KQZ-ja të ketë realizuar ndonjë program që pas publikimit të listave të zgjedhësve, ata (zgjedhësit) të njihen me to dhe kur është rasti t’i drejtohen zyrave të gjëndjes civile ose gjykatës për korigjimin e tyre. Kështu p.sh. deri në datën 6 Mars 2017 janë publikuar tre herë listat e zgjedhësve me ndryshimet përkatëse por nuk kemi dëgjuar që të jetë realizuar ndonjë pjesë e programit ku të parashikohet edhe edukimi zgjedhor i shtetasve lidhur me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për listat e zgjedhësve. KQZ-ja para zgjedhjeve nëpërmjet spoteve televizive u ka bërë të njohur zgjedhësve se si të veprohet ditën e zgjedhjeve.

Duke e sqaruar këtë çështje kam parasysh volumin tepër të madh të KQZ_së, përgjegjësinë e madhe të saj, kompetencat e shumta që ajo ka, trajnimin e komisionerëve, etj. Kam mendimin se në zgjedhjet e 18 Qershorit, KQZ-ja do të jetë tepër e angazhuar edhe për faktin se ende shtesat apo ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë miratuar, se KQZ-ja do të duhet të verifikojë mijëra formularë për pastërtinë e figurës të kandidatëve.

– Në Kodin Zgjedhor është parashikuar që zgjedhësi të njoftohet me shkrim në banesën e tij se në cilën qendër votimi do të votojë. A zbatohet kjo kërkesë ligjore?

– Po, është e vërtetë. Kjo parashikohet në Kodin Zgjedhor. Për këtë ngarkohen kryetarët e njësive të qeverisjes vendore. Kryerja e kësaj detyrë nuk është fakultative, por e detyrueshme. Është për të ardhur keq që ky problem nënvlerësohet. Ka të dhëna se edhe në këto zgjedhje po ndodh e njëjta gjë. Njoftimi i vonuar nuk ka efekt. Njoftimi i pjesshëm është i kundraligjshëm. Sipas Kodit Zgjedhor duhet të kishte përfunduar njoftimi me shkrim i çdo zgjedhësi në banesën e tij.

Është e vërtesë se vetë zgjedhësi duhet të interesohet nëse figuron në listë ose jo. Por ligjbërësi ka dashur që njoftimi të bëhet edhe në shtëpi për sensibilizimin e zgjedhësve me qëllim që pjesmarrja në zgjedhje të jetë sa më e madhe. Kjo do të parandalonte rastet kur shtetasi të shkojë për të votuar dhe emri i tij të mos figurojë në listë.

– Si duhet të veprojë shtetasi që emrin e tij nuk e gjen në listë?

– Ai duhet t’i drejtohet me kërkesë zyrës së gjëndjes civile ku ka vendbanimin (ku është regjistruar) dhe të kërkojë korigjimin e listës. Nëse kërkesa refuzohet ai ka të drejtë të ankohet në gjykatë.

– Deri në ç’kohë (afat) mund t’i drejtohet zyrës së gjëndjes civile?

– Derisa të mos jetë shpallur lista përfundimtare e zgjedhësve. Lista përfundimtare e zgjedhësve duhet të publikohet jo më vonë se data 14 maj 2017.

– Po nëse edhe pas publikimit të listave përfundimtare të zgjedhësve emri i zgjedhësit nuk ndodhet në listë cila është e drejta e zgjedhësit?

– Në një rast të tillë ai duhet t’i drejtohet gjykatës deri 24 orë para datës së zgjedhjeve, ndërsa gjykata ka të drejtë të shqyrtojë kërkesën edhe ditën e zgjedhjeve por jo më vonë se 6 orë para mbylljes së votimit.

Nëse gjykata e pranon kërkesën, zgjedhësi shkon në qendrën e votimit, paraqet vendimin e gjykatës dhe voton edhe pse nuk figuron në listë.

Nga sqarimet e mësipërme mund të arrihet në përfundimin se nëse zbatohen dispozitat e Kodit Zgjedhor edhe nëse vetë shtetasi është i interesuar të ushtrojë të drejtën për të votuar, i ka të gjitha mundësitë që edhe kur për arsye të ndryshme nuk është përsfhirë në listë, ajo (lista) të korigjohet.

– Po në rast se zgjedhësi ndryshon vendbanimin pas publikimit të listës përfundimtare të zgjedhësve si veprohet?

– Në rast se zgjedhësi në kushtet e mësipërme ndryshon vendbanimin, lista nuk mund të ndryshojë dhe zgjedhësi voton në qendrën e votimit ku ka emrin në listën e miratuar. Në rast se ai paraqet kërkesë në gjykatë, kërkesa e tij rrëzohet.

– A mund të merret një informacion se deri më sot sa zgjedhës kanë kërkuar ndryshimin e listës së publikiuar?

– Ky informacion mund të merret nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjëndjes Civile dhe KQZ-ja nëse këtë çështje e disponojnë si dhe direkt nga njësitë e qeverisjes vendore në shkallë vendi.

– Nëse në këtë informacion do të thuhej se deri më sot nuk ka patur kërkesa të tilla ç’mund të thuhej për këtë?

– Po të ndodhte kjo nuk do të përjashtoja mundësinë që informacioni të mos jetë i saktë. E them këtë edhe për faktin se edhe sikur listat e zgjedhësve të ishin më të mira në krahasim me ato të zgjedhjeve të kaluara, vështirë të ishin të përsosura. Nëse ky informacion do të ishte i tillë kjo do të thotë se zgjedhësit nuk ishin njohur me listat e publikuara. Kjo mendoj se do të ishte shqetësuese dhe do të duhej së pari të vlerësohej dhe të intensifikohej në forma të ndryshme sensibilizimi i zgjedhësve dhe së dyti, të zbatohej dispozita e Kodit Zgjedhor që kërkon njoftimin me shkrim të zgjedhësit në banesën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit