Shkelje të të drejtave të personave të burgosur në IEVP Lezhë


Në dt. 22 qershor 2016, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka zhvilluar një monitorim në Institucionin e Ekzekutimit të vendimeve Penale Lezhë për shqyrtimin e disa ankesave të ardhura nga personat e burgosur. Nga ky monitorim rezultuan disa problematika dhe shkelje të të drejtave, nga të cilat e shikojmë të nevojshme të përmendim:

1. Situata e rëndë e mbipoupullimit në kundërshtim me sa kërkohet në nenet 23 e vijues të Ligjit nr. 8328, dt. 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, dhe nenin 30, të VKM nr. 437, dt. 20.05.2015, “Për miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, lidhur me sipërfaqen e banimit dhe kubaturën për çdo të burgosur. Sipas të dhënave, mbipopullimi shkonte në 215 persona mbi kapacitetin trajtues të burgut. Sipas Rregullit 10, të Rregullave të Rishikuara të Standarteve Minimum për Trajtimin e të Burgosurve të OKB-së, hapësira në dispozicion të të burgosurve, përfshirë vendet ku ata flenë, duhet të plotësojë të gjitha kërkesat përsa i takon kushteve të qëndrimit në burg dhe veçanërisht ajrosjen për metër kub, hapësirën minimale të sipërfaqes për frymë, ndriçimi, ngrohja dhe ventilimi.

Si pasojë e këtij mbipopullimi, kushtet e trajtimit mund të sjellin trajtim çnjerëzor dhe poshtërues të personave të burgosur.

2. Shërbimi shëndetësor ishte i paplotësuar pasi funksioni i njërit prej mjekëve të këtij sektori ishte i paplotësuar ndërsa mjeku tjetër ishte emëruar vetëm para dy ditësh. Si pasojë e mungesës së personelit mjekësor për një kohë të gjatë, aq më tepër në kushtet e mbipopullimit, personat e burgosur nuk merrnin ndihmën mjekësore të kërkuar, në kundërshtim me sa parashikohet në nenin 33, të Ligjit të mësipërm.

3. Në Seksionin e Observim-Veçimit ndodheshin dy persona të burgosur që pretenduan se kishin plotësuar afatin e masës disiplinore “Përjashtimi nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta deri në 20 ditë” dhe vazhdonin të mbaheshin aty edhe pas plotësimit të këtij afati. KShH verifikoi pretendimet e mësipërme dhe rezultoi se njëri nga këta shtetas (F.Xh) mbahej në këtë Seksion edhe pse afati i masës disiplinore ishte plotësuar prej 12 ditësh, në kundërshtim me nenin 6, të Ligjit, lidhur me kufizimin individual të të drejtave si dhe Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.

Gjithashtu, të burgosur të tjerë mbaheshin në këtë Seksion prej më shumë se 6 muajsh ndërkohë që sipas neneve 13 dhe 29, të Rregullores, aty mund të qëndrojnë persona që pranohen rishtazi në burg, për një periudhë jo më të gjatë se 10 ditë.

4. Tre shtetasve të burgosur ndaj të cilëvë ishte dhënë masë disiplinore, të kontaktuar nga KShH nuk u ishte dorëzuar kopje e vendimit për marrjen e masës disiplinore, në kundërshtim me sa parashikohet në nenin 54/1, të Ligjit dhe nenit 120, pika 5, të Rregullores, duke i privuar në ushtrimin e të drejtës së tyre të ankimit për masën disiplinore (neni 54/2, i Ligjit).

Përsa më sipër, KShH i sugjeron Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrë masa të menjëhershme për zbatimin rigoroz të ligjit ndërsa për personat përgjegjës për shkeljet e konstatuara, të marrë masat përkatëse administrative me qëllim garantimin e të drejtave të personave të privuar nga liria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit