Zbatimi i ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik” vazhdon të jetë problematik dhe në nivele të ulëta


LETËR E HAPUR
DREJTUAR
MINISTRAVE TË PUSHTETIT EKZEKUTIV

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), prej muajsh po monitoron zbatimin e Ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Në këtë kuadër, KShH ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me 19 Ministritë, Kryeministrinë dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim Komisioneri).

Edhe pse ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik” është miratuar në muajin tetor 2014, zbatimi i tij nga ministritë paraqitet në nivele të ulëta. Nga analiza e praktikave të punës për çdo ministri, KShH ka evidentuar disa çështje problematike, të cilat dëshiron t’ua sjellë në vëmendje, në mënyrë që detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky ligj të gjejnë zbatim, me qëllim rritjen e transparencës së organeve publike dhe gjithëpërfshirjen e publikut dhe palëve të tjera të interesuara pa asnjë dallim, në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes me interes të lartë publik, si më poshtë:

  1. Shpesh procesi i konsultimit publik ka nota të larta formalizmi. Ministritë që ndërmarrin iniciativa ligjbërëse, dërgojnë akte të rëndësishme për konsultim tek grupet e interesit, pa iu përmbajtur kërkesave procedurale ligjore në kuptim të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Po ashtu, afatet e kërkimit të komenteve nga grupet e interesit apo palët e interesuara janë shpesh të limituar në kundërshtim me dispozitat ligjore, çka pengon cilësinë e rekomandimeve të dhëna.

  2. Në kuptim të ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, një pikë qendrore konsultimi është edhe Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (www.konsultimipublik.gov.al ), një faqe zyrtare interneti, ku do të duhet të hidhen të gjitha projekt-aktet që do t’i nënshtrohen konsultimit publik. E vërteta është se ky Regjistër ka nisur të funksionojë vetëm muajin e fundit, në të cilin janë hedhur për konsultim shumë pak projekt-akte. Gjatë viteve 2015 – 2016, rreth 240 projekt-akte do të duhet të ishin konsultuar nëpërmjet këtij regjistri. Gjithashtu, nga kontaktet me grupet e interesit jemi informuar që përzgjedhja e tyre në procesin e konsultimit bëhet mbi bazë selektive dhe të njëanshme duke cenuar parimin e gjithëpërfshirjes dhe ofrimit të shanseve të barabarta. Për sa më sipër, KShH sugjeron që të ndërmerren veprime të menjëhershme dhe funksionale për vënien në funksion të plotë të regjistrit, nëpërmjet kujtesave drejtuar Ministrive, akteve administrative të brendshme ministrore apo rritjes së kapaciteteve të punonjësve që kanë marrë përgjegjësitë e koordinatorëve të konsultimit publik.

  3. Nga monitorimi rezulton se ka mungesë transparence në drejtim të informimit të grupeve të interesit me të dhëna për rekomandimet që janë marrë në konsideratë dhe përmbledhje të arsyeve për ato rekomandime që nuk janë marrë në konsideratë. Përveç Ministrisë për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, ministritë e tjera nuk kanë publikuar planet vjetore që lidhen me procesin e vendimmarrjes për vitin 2015, sikurse ligji e kërkon.

  4. Gjithashtu, këto institucione nuk kanë publikuar raportet vjetore për transparencën, në të cilat duhet të përfshihet informacion mbi numrin e akteve të miratuara nga organi publik përkatës gjatë vitit referues, numrin e përgjithshëm të rekomandimeve të marra nga palët e interesuara, numrin e rekomandimeve e të komenteve të pranuara dhe të refuzuara gjatë procesit të vendimmarrjes, si dhe numrin e takimeve publike të organizuara.
    Po ashtu, KShH ka konstatuar se disa projekt-akte, si projekt-ligji “Për dhënie amnistie”, “Për shërbimin e sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore”, “Për miratimin e listës së vendeve të treta të sigurta”, “Për kontrollin kufitar”, të cilat nuk bëjnë pjesë në aktet ligjore që ligji e kufizon konsultimin me grupet e interesit, nuk i janë nënshtruar këtij procesi, me argumentimin se, për shkak të natyrës të tyre, nuk është gjykuar të jenë me interes të veçantë për publikun. Dëshirojmë t’ju sjellim në vëmendjen se, përcaktimet ligjore për aktet që do t’i nënshtrohen konsultimit publik janë të qarta, duke mos lënë hapësirë për interpretim. KShH, në cilësinë e palës së interesuar, iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale, i cili me Vendimin. Nr 28, datë 13.02.2017, konstatoi cenimin e të drejtës për njoftim dhe konsultim publik për ligjin “Për dhënie amnistie” nga Ministria e Drejtësisë dhe sugjeroi marrjen e masave administrative për personin përgjegjës.

  5. Nga komunikimi me institucionet e monitoruara, evidentohet se nuk rezulton të jenë ushtruar mjetet ligjore të ankimit për shkeljet potenciale të proceduarave dhe afateve të njoftimit dhe konsultimit publik. Mungesa e këtyre të dhënave vë në pikëpyetje efikasitetin e të drejtës së ankimit të parashikuar në ligjin 146/2014.

Në përmbyllje, KShH dëshiron edhe një herë të nënvijëzojë faktin që ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik” synon nxitjen e transparencës, të përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve publike, si dhe rritjen e llogaridhënies së tyre ndaj qytetarëve. Për këtë, iu bëjmë thirrje të gjithë autoriteteve publike, të njohin dhe zbatojmë me përpikmëri detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky ligj, në mënyrë që të ketë konsultime publike efektive me pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, jo-diskriminuese dhe të efektshme.

Me besim në mirëkuptimin tuaj për ndërmarrjen e masave për sa më sipër,

Me konsideratë,

Erida Skëndaj
Drejtore Ekzekutive
Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
November
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
TOP