Shkelje e rëndë e ligjit në Komisariatin e Policisë nr. 1, Tiranë


Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), në dt. 16.05.2014 verifikoi respektimin e të drejtave dhe trajtimin e personave të ndaluar/arrestuar në Komisariatin e Policisë nr. 1, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. 8 persona, 7 prej të cilëve me masë sigurie “arrest me burg” dhe një në pritje të caktimit të masës së sigurimit nga gjykata, mbaheshin prej disa ditësh në kushte tepër të papërshtatshme, ndërkohë që sipas ligjit, 7 prej tyre duhej të ishin transferuar në një institucion paraburgimi. Neni 6 i “Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, përcakton se pranimi i të paraburgosurve në institucionet e paraburgimit bëhet çdo ditë të javës, pasi të jetë vendosur nga gjykata masa e sigurimit “arrest në burg”.

KShH bën të ditur, me shqetësim, se kushtet mjedisore dhe të trajtimit të këtyre personave ishin në shkelje të rëndë të ligjit, në mënyrë të veçantë për dy të miturve E.B. dhe M.M. të cilët, veç të tjerave, mbaheshin në të njëjtin ambient me persona madhorë, gjë që është e ndaluar shprehimisht nga neni 107/3 i ligjit “Për policinë e shtetit”.

Mbipopullimi i konstatuar tejkalonte së tepërmi standardet e përcaktuara nga ligji, mjediset nuk ishin të pajisura me mjete për fjetje ( të arrestuar/ndaluarit flinin në dyshemenë prej çimentoje, mbi të cilën ndodhej një mbulesë e hollë) dhe personat e arrestuar/ndaluar ankoheshin për mungesë të furnizimit me ushqim gjatë ditëve të qëndrimit në Komisariat. KShH është veçanërisht e shqetësuar për mungesën e interesimit të duhur dhe mjeteve e rrugëve të paqarta të komunikimit, që zbatoheshin nga punonjësit e Komisariatit, për të komunikuar me institucionet e paraburgimit, mjete që nuk linin gjurmë të dokumentuar rreth procedurave të ndjekura. Kjo shkakton jo vetëm vonesa në transferimin e personave me masë sigurie“arrest me burg” drejt institucioneve të paraburgimit, por dhe pengon nxjerrjen e përgjegjësive për situatën e krijuar.

KShH e shikon të nevojshme të saktësojë se, në rastin konkret, është vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 8331, dt. 21.04.1998, ”Për ekzekutimin e vendimeve penale” .

Jemi të mendimit se mënyra e trajtimit të personave të arrestuar/ndaluar në Komisariatin nr.1, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, nuk është njerëzore, shkel rëndë të drejtat e garantuara me ligj dhe mund të shkaktojë pasoja për shëndetin e personave të arrestuar/ndaluar. Kjo situatë është e përsëritur, e konstatuar dhe referuar edhe me parë, por ndonëse janë marrë angazhime për përmirësimin e gjendjes, situata nuk ka ndryshuar.

Duke përcjellë me dashamirësi investimet për përmirësimin e fasadave të institucioneve të Policisë së Shtetit, në Tiranë, mbetemi tepër të shqetësuar për gjendjen e rëndë, jashtë çdo standardi human, të mjediseve ku mbahen personat e arrestuar/ndaluar, të këtyre institucioneve.

Në këto kushte KShH i sugjeron Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe organeve të prokurorisë që të verifikojnë situatën e zbatimit të legjislacionit të sipërcituar, por jo vetëm, si dhe të vendimeve gjyqësore të dhëna për masat e sigurimit të personave që ndodhen në Komisariatin 1. Të marrin masat për përmirësimin e menjëhershëm të situatës, të saktësojnë rrugën e bashkëveprimit dhe rakordimit institucional midis tyre dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe të nxjerrin përgjegjësinë individuale të stafeve përkatëse, që kanë lejuar, ose ndikuar në krijimin e kësaj situate të rëndë e të përsëritur, duke aplikuar masa disiplinore ose ndjekje penale, sipas rastit.

Të drejtat e njeriut dhe respektimi i tyre është një çështje me vlerë të madhe për shtetasit, por dhe një interes i rëndësishme publik, prandaj askush nuk duhet lejuar t’i shkelë apo cenojë ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2019 >
October
MoTuWeThFrSaSu
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031   
TOP