Letër e hapur për Reformën në Drejtësi


Drejtuar:

Z. Bamir Topi
President i Republikës së Shqipërisë

Znj. Jozefina Topalli
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

Z. Sali Berisha Kryeministër

Z. Enkelejd Alibeaj Ministër i Drejtësisë

Partive Politike Parlamentare

Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

Nga:

Unioni i gjyqtarëve të Shqipërisë

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

 

Të nderuar zotërinj!

Ne përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Komitetit Shqiptar i Helsinkit po ndjekim me shumë vëmendje dhe shqetësim ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe vlerësojmë atë si shumë të rëndësishme për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut.

Duke vlerësuar vullnetin politik për të ndërmarrë një reformë të tillë, shprehim bindjen se kjo reformë është e domosdoshme, madje e vonuar. Ne mbështesim domosdoshmërinë e këtij procesi reformimi dhe jemi të gatshëm te japim kontributin tonë për të patur një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe profesional.

Konstatojmë se përgatitja e reformës në drejtësi deri më sot, sidomos procesi i ligjbërjes lë mjaft për të dëshiruar. Në të ka mjaft formalizëm, mungesë argumentimi dhe mosangazhim real dhe nw kohwn e duhur në këtë proces të aktorëve kryesore të reformës në drejtësi si: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ekspertë të jetës akademike, aktorë të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera zbatuese të ligjeve që janë pjesë e kësaj reforme.

Organizatave jo fitimprurëse, ekspertëve në fushë nuk u krijohen mundësitë praktike dhe nuk i jepet koha e mjaftueshme për të dhënë kontributin e tyre në kryerjen e një reforme në drejtësi gjë që do të ndikonte pozitivisht në forcimin e pavaresisë së pushtetit gjyqësor dhe të organeve të tjera kushtetuese dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Reforma ne drejtësi është e nje rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë dhe është e lidhur ngushtë me synimin e vendit tonë për integrimin në strukturat euroatlantike. Por nëse kjo reformë nuk është cilësore, ajo nuk do t’i shërbejë këtij qëllimi.

Konstatojmë me keqardhje se metodologjia e hartimit të disa projekteve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, si rrjedhim i defekteve që përmendëm më lart shoqërohet me elementë të subjektivizmit dhe interesave të ngushta sektoriale dhe konjukturiale.

Ne përshëndesim seancat dëgjimore që mund të organizohen nga komisionet përkatëse parlamentare, por ato nuk janë as të mjaftueshme dhe as rezultative nëse nuk paraprihen nga një angazhim i mëparshëm i aktorëve përkatës qysh në fazën e hartimit të projektligjeve.

Gjithashtu, transparenca që duhet të karakterizojë procesin duhet të fillonte që në fillesat e tij me identifikimin e problemeve, të prioriteteve, propozimeve për zgjidhjet konkrete duke angazhuar seriozisht pjesëmarrjen e gjërë të aktorëve të sistemit të drejtësisë në proces nga inicimi i nismës deri në miratimin përfundimtar të saj. Ky është një detyrim i cili buron nga direktivat e BE-së për teknikën legjislative, të detyrueshme për t’u zbatuar.

Projektet duhet të hartohen pas një debati të gjerë publik me qëllim që t’i japin zgjidhje problemeve që rezultojnë nga ky debat dhe t’i hapin rrugën një zhvillimi progresiv. Propozimet dhe mendimet e dhëna duhet të vlerësohen seriozisht në mënyrën më të mirë të mundshme duke shmangur çdo lloj formalizimi.

Të nderuar zotërinj!

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit ju bëjmë thirrje publike

Vlerësoni seriozisht shqetësimin tonë që të mos kalojë asnjë reformë e copëzuar, por reforma në drejtësi të konceptohet si një e tërë, si një paketë e ligjore, pasi në këtë mënyrë do të shmangen përplasjet ligjore të mundshme ose mungesa e koherencës në legjislacion. Kryerja e reformës në drejtësi është një proces kompleks dhe i ndërlikuar, miratimi i saj i copëzuar do të shoqërohej me pasoja të dëmshme dhe të pariparueshme.

Shpresojmë reflektimin, mirëkuptimin dhe vullnetin e mirë politik të tuajin për realizimin e qëllimeve që synohet të arrihet me reformën në drejtësi.

Ne e shohim të domosdoshme të informojmë publikun, median dhe organizmat kombëtarë dhe ndërkombëtare që monitorojnë dhe asistojnë reformat në Shqipëri me përmbajtjen e kësaj deklarate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2019 >
August
MoTuWeThFrSaSu
   1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031 
TOP