Mbi respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri përgjatë vitit 2016


KONFERENCE PER SHTYP:
Mbi respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri përgjatë vitit 2016

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është duke përgatitur raportin vjetor lidhur me situatën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin tonë gjatë vitit 2016. Bazuar në një traditë të përvitshme të KShH-së, vlerësuam që në këtë konferencë t’ju informojmë në mënyrë konçize për disa nga gjetjet dhe problematikat kryesore të këtij raporti, të cilat, bazohen kryesisht në disa çështje që kanë qenë objekt verifikimi, vëzhgimi dhe monitorimi nga ana e KShH-së dhe që kanë interes publik.

  1. Gjatë vitit 2016, KShH ka reaguar publikisht në 45 raste, përkatësisht 17 herë bazuar në informacionet e marra prej medias, në 7 raste për ankesat e qytetarëve dhe 21 raste të tjera bazuar në monitorimet e kryera nga organizata. Reagimet kanë konsistuar veçanërisht për kushtet dhe trajtimin e personave të privuar nga liria në sistemin penitenciar, rastet e cënimit të sigurisë në burgje, rastet e dhunës ndaj gruas dhe fëmijëve, për nevojën dhe rëndësinë që ka për qytetarët reformimi i sistemit të drejtësisë dhe reforma zgjedhore, reagime për mbrojtjen e gazetarisë investigative dhe respektimin e lirisë së shtypit, për shmangien e gjuhës së urrejtjes në punimet parlamentare, për kriminalitetin etj.
  1. KShH ka treguar vëmendje të veçantë për trajtimin, verifikimin dhe zgjidhjen e ankesave të qytetarëve. Gjatë vitit 2016 janë trajtuar mbi 280 ankesa. Përkatësisht, 50% e këtyre rasteve vazhdon të dominohet nga ankesat e personave të privuar nga liria në burgje dhe paraburgime, për kushtet e papërshtatshme dhe shkeljes së të drejtave të këtyre shtetasve nga administrata e burgjeve, mosdhënien e shërbimit shëndetësor, pretendime për ushtrim dhune, etj. 15% e ankesave i atribuohet sistemit gjyqësor, vendimeve të padrejta gjyqësore, korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shkeljes së procesit të rregullt gjyqësor, veprimeve të padrejta dhe arbitrare të organit të akuzës, etj. Ankesat për shërbim avokator dhe konfliktet e pronësisë, veçanërisht pretendimet për kompensime jo proporcionale gjatë shpronësimeve kanë pësuar një rritje, rreth 17 % e totalit.
  1. Në disa raste, KShH ka përfaqësuar shtetas në gjykatat vendase dhe ndërkombëtare. Në periudhën Maj – Korrik 2016, KShH i është drejtuar me 4 ankesa Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), në lidhje me respektimin e të drejtës së shtetasve për akses në drejtësi, të së drejtës për zhvillimin e një proçesi gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, të së drejtës për ndalimin e torturës, trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, ndalimin e diskriminimit, etj.

Akomodimi në sistemin e burgjeve i një grupi personash prej rreth 175 të sëmurësh mendorë me masë mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, përbën shkelje të rëndë të të drejtave të tyre si dhe ka sjellë përkeqësim të gjëndjes së shëndetit të tyre mendor. Një nga çështjet që po përfaqësojmë në Gjykatën e Strasburgut synon zgjidhjen e këtij problemi endemik që shteti shqiptar nuk ka mundur t’i japë zgjidhje efektive prej gati 20 vitesh, duke vendosjen e tyre në një institucion të specializuar mjekësor. Me impakt pozitiv ka qenë një nga kërkesat që KShH i ka drejtuar GjEDNj-së, e cila ka pranuar masën urgjente të përkohshme për një shtetas të privuar nga liria, të cilit nuk i ofrohet prej disa vitesh, një operacion mjekësor që kërkon pajisje dhe material specifike, të cilat shteti nuk i disponon.

  1. E drejta e jetës është një e drejtë themelore dhe shteti ka detyrimin pozitiv ta mbrojë atë. Ankesat në media dhe ato drejtuar KShH-së evidentojnë se qyetarët përballen me rastet e mjekimit të pakujdesshëm, dëmtimet në shëndet dhe humbjen e jetës në aksidente rrugore, të cilat shkaktohen në disa raste edhe për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe infrastrukturës së papërshtatshme të rrugëve, përballen gjithashtu me krimet kundër jetës, trafikimin e qenieve njerëzore, ku Shqipëria është një ndër 5 vendet jo-anëtare të BE-së, me numrin më të lartë të viktimave të këtij trafiku. Ankesat adresohen gjithashtu për probleme strukturore që vazhdojnë të prekin sistemin e shëndetit publik si mungesa e ilaçeve apo e infrastrukturës mjekësore. Veçojmë këtu disa ankesa të trajtuara ose në proces trajtimi nga KShH, si rasti i një fëmije 11-vjeçar, i diagnostikuar me sëmundjen e rëndë Tumor malinj, i ati të cilit siguronte një pjesë të kurës me të ardhurat personale, për shkak se shteti nuk mund t’ja siguronte plotësisht kurën, e cila kishte kosto tepër të lartë për situatën e vështirë financiare të familjes së tij. Ankesë tjetër në proces është mungesa e pajisjeve të dëgjimit për të miturit me aftësi të kufizuara të dëgjimit. Reagimet e KShH-së dhe Together for Life për mungesën e medikamentit L-Asparaginase për fëmijët me leuçemi, kontribuan në reagimin pozitiv të Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e këtij preparati.
  1. Ndalimi i diskriminimit dhe integrimi i grupeve të margjinalizuara të shoqërisë ka qenë në fokus të veçantë të KShH-së. Kemi monitoruar në terren respektimin e të drejtës së jetës, ofrimit të shërbimeve shëndetësore, të arsimit, strehimit dhe punësimit të komunitetit rom dhe egjiptian në bashkitë Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Shkodër dhe Krujë. Nga këto misione ka rezultuar se këta shtetas nuk kanë informacionin minimal për të drejtat dhe mjetet e kërkimit të tyre. Pavarësisht fushatave të vaksinimit nga Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik, një pjesë e fëmijëve rom ende nuk janë të vaksinuar. Gjithashtu një pjesë e tyre nuk ndjekin arsimin e detyrueshëm ose e braktisin atë. Një numër i konsiderueshëm personash punojnë si mbledhës individualë të mbetjeve urbane, pasi politikat publike për ofrimin e kurseve profesionale dhe orientimit drejt tregut të punës nuk kanë rezultuar efektive ndaj këtyre komuniteteve. Kjo situatë i vendos këto komunitete përballë kushteve të jetësës nën minimumin jetik, i cili ende nuk është përcaktuar me akte ligjore dhe nëligjore nga shteti. Në zonat ku jetojnë, mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm, ndërkohë që në shumicën e banesave/barakave të tyre, kushtet e jetesës janë tepër të këqija dhe nuk mundësojnë jetesë dinjitoze, por përkundrazi përbën në disa raste jetesë në kushte ç’njerëzore. Për komunitetin LGBTI është miratuar një plan veprimi për periudhën 2016 – 2020. Megjithatë, ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i këtij komuniteti në shoqëri mbetet në nivele të ulëta, duke përfshirë edhe prezencën e sjelljeve diskriminuese nga nëpunës publikë.
  1. KShH ka monitoruar gjithashtu Komisariatet e Policisë, Burgjet dhe Paraburgimet. Mbipopullimi në burgje dhe veçanërisht në paraburgim është shqetësues, ndërkohë që masa e sigurisë arrest në burg zbatohet ndaj të pandehurve në numër të konsiderueshëm. Standartet ndërkombëtare parashikojnë që kjo masë duhet të zbatohet si masë e fundit ose e jashtëzakonshme. Dënimet alternative zbatohen në raste relativisht të pakta nga gjykatat. Kushtet e dhomave ku mbahen personat e privuar nga liria në Institucionet Penitenciare Sarandë, Lushnje, Rrogozhinë, Fushë – Krujë dhe Fier nuk mundësojnë respektim të plotë të dinjitetit njerëzor si rezultat i mbipopullimit, mungesës së krevatave, kompleteve të përshtatshme të fjetjes, mjeteve të higjienës, etj. Zhvillimi i një game më të gjerë aktivitetesh edukuese dhe rehabilituese, përmirësimi i cilësisë së ushqimit, garantimi i shërbimit shëndetësor cilësor, sa i takon infrastrukturës, personelit mjekësor dhe medikamenteve, vazhdojnë të mbeten disa nga sfidat e sistemit penitenciar. Gjendja në Institucionin e veçantë në Zahari të Krujës është në kushte të tilla, ku vazhdon të jetë e pranishme shkelja e të drejtave e të dënuarve me probleme të ndryshme akute të shëndetit, duke përfshirë këtu edhe të sëmurët mendorë. KShH rekomandon mbylljen e këtij institucioni dhe vendosjen e këtyre të sëmurëve në një institucion mjekësor që ofron kushte dinjitoze të trajtimit dhe ofrimit të shërbimit shëndetësor.
  1. KSHH ka monitoruar disa seanca gjyqësore për korrupsionin. Të pandehurit e akuzuar për korrupsion pasiv në sektorin publik i përkasin pothuajse në të gjitha rastet e monitoruara rangut të ulët ose të mesëm. Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të nivelit të lartë vazhdon të përbëjë shqetësim për vendin tonë. KShH përshëndet kthesën pozitive që kanë shënuar në këtë drejtim institucione të pavarura që ushtrojnë kontrolle dhe audite, duke ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të prokurorisë për pushimin e çështjeve penale, kur kanë qenë këto institucione që kanë bërë kallëzim penal. Rekomandimet tona adresuar ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive vërejmë se janë bërë gjithashtu pjesë e rezolutave të Kuvendit për veprimtarinë vjetore të këtyre institucioneve. Kjo kthesë pozitive do t’i shërbejë zbatimit rigoroz të ligjit, rritjes së cilësisë së hetimeve dhe rritjes së kontrollit të gjykatës ndaj vendimeve të prokurorisë.
  1. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për periudhën janar-shtator 2016, janë raportuar 3195 raste dhune në familje, duke shënuar rritje në krahasim me vitin 2015. Nga monitorimi që kemi bërë gjatë këtij viti ndaj 97 seancave gjyqësore për çështjet penale dhe civile të lidhura me dhunën në familje, rezultoi se: 70 % e viktimave janë të gjinisë femërore dhe dhunohen për shkaqe të lidhura me divorcin, përdorimin e alkoolit nga dhunuesit, varfërinë dhe papunësinë. 37% e ҫështjeve për lëshimin e urdhërave të mbrojtjes janë pushuar për shkak të mosparaqitjes së palës paditëse që në seancën e parë, kryesisht të grave ose për shkak se ato deklarojnë se nuk ekziston më konflikti. Në 40% të rasteve dhunuesi ka pasur arsim 8–9 vjeçar. Dhunuesit rezultojnë më së shumti recidivist për ushtrim të dhunës në familje.
  1. KShH-ja vazhdon sensibilizimin e grupeve të interesit dhe monitorimin e zbatimit të një ligji të rëndësishëm që parashikon detyrimin e organeve publike, për njoftimin dhe konsultimin publik për projektakte, projektstrategji dhe politika të ndryshme me interes publik. Nga monitorimi i ushtruar në 20 institucione qendrore (19 Ministritë dhe Kryeministria), rezulton se konsultimi i projektakteve nuk realizohet në përputhje me procedurat dhe afatet si dhe në disa raste ka karakter formal. Paralelisht, KShH po ndërmerr nismën për sensibilizimin e qytetarëve sa i takon përfitimeve që do të kenë nga reforma në drejtësi, nga ku rezulton se qytetarët e duan reformën dhe presin ndryshime dhe kthesa pozitive brenda një kohe sa më të shkurtër.
  1. Gjatë vitit 2016, KShH ka dhënë kontribut për përmirësimin e legjislacionit në drejtim të respektimit dhe sanksionimit të standarteve të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë drejtim është dhënë kontribut për 7 projektligjet organike të Sistemit të Drejtësisë dhe 4 projektligje të tjera që janë shqyrtuar nga komisione të ndryshme parlamentare. Gjithashtu, kemi dhënë mendime lidhur me mënyrën e raportimit vjetor në Kuvend, të institucioneve kushtetuese apo ligjore, si Avokati i Popullit dhe ILDKPKI. Nga monitorimi i faqes së Kuvendit për procesin e konsultimit publik rezulton se Koordintori për shoqërinë Civile i Kuvendit krijon mundësinë për pjesëmarrjen e publikut në ndjekjen e seancave dëgjimore në Komisione Parlamentare. Analiza që i është bërë procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit për vitin 2016, evidenton për 74% të projektligjeve të diskutuara në këto komisione nuk janë identifikuar ose thirrur grupe interesi për konsultim.
  1. KShH ka ndjekur edhe përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2017, nëpërmjet ndërhyrjeve institucionale drejtuar Komisionit të Posaçëm Parlamentar apo deklaratave për shtyp. Në Prill të këtij viti i paraqitëm Komisionit Parlamentar 32 propozime për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Vonesat dhe urgjenca që paraqet mbyllja e veprimtarisë së këtij Komisioni me qëllim që të ketë mbarëvajtje në zgjedhjet e ardhshme, vlerësojmë se mund të cënojë konsultimin dhe gjithpërfshirjen që duhet të zhvillojë ky komision për ndryshimet në Kodin Zgjedhor[1].
  1. Edhe në vitin 2016 kemi vlerësuar dhe shfrytëzuar informacionin e dhënë në media, gjë që na ka shërbyer për verifikime të mëtejshme dhe sipas rasti edhe për prononcime publike. Ka disa të dhëna, edhe pse të pa verifikuara, që flasin, se ka ende gazetarë që punojnë në informalitet, të cilëve nuk u paguhet rregullisht paga apo të cilët nuk përfitojnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, shoqata ProLGBT dhe Civil Rights Defenders kanë bërë gjithashtu thirrje për respektimin e lirisë së shtypit dhe ndalimin e censurës e vetëcensurës. Ankesa e gazetares së pushuar nga puna në një televizion privat, për investigimin e kryer për rrethanat e vdekjes së të miturit në Landfillin e Sharrës, si dhe censurimi i transmetimit të kësaj videoje çoi në reagimin tonë se gazetaria investigative ka nevojë për më shumë mbrojtje dhe inkurajim dhe se gazetaria serioze nuk mund të ekzistojë pa burimet e informacionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2019 >
August
MoTuWeThFrSaSu
   1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031 
TOP