Njoftim për shtyp – 14 Qershor 2013


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (K.Sh.H), që nga viti 1996 dhe në vazhdim, ka monitoruar të gjitha proceset zgjedhore të zhvilluara në vendin tonë, si ato parlamentare dhe vendore. K.Sh.H, me mbështetjen e Programit të Grandeve të Vogla të Ambasadës Amerikane, Fondacionit SOROS, organizatës suedeze CRD1 dhe në bashkëpunim me“Koalicionit për Zgjedhje të Lira e të Ndershme”, po monitoron dhe zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit 2013. Monitorimi ynë përfshin periudhën parazgjedhore, ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave.

Për këtë qëllim, janë akredituar nga KQZ-ja 172 vëzhgues të K.SH.H dhe rreth 460 vëzhgues të tjerë për llogari të organizatave partnere të koalicionit. Fill pas kësaj, u krye me sukses trajnimi i të gjithë vëzhguesve, duke i pajisur ata me manualet dhe dokumentacionin tjetër të nevojshëm për monitorim.

Dita e zgjedhjeve dhe numërimi i votave do të monitorohen në 9 qarqe të vendit, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Ne do të ndjekim me kujdes edhe votimin pranë institucioneve të veçanta, si burgje, paraburgime e spitale.

Nëpërmjet korrespondentëve tanë në rrethe dhe me ndihmën e vëzhguesve afatgjatë, kemi kryer një monitorim për disa nga aspektet kryesore të procesit parazgjedhor.

Lidhur me këtë monitorim K.Sh.H. ka përgatitur një raport, i cili do të bëhet publik së shpejti( ne shqip dhe anglisht). Ndërkohë ju prezantojmë gjetjet kryesore të tij, të cilat janë si vijon:

  • Sh.H ka ndjekur me vëmendje konstituimin dhe veprimtarinë e KQZ-së2, institucioni më i lartë shtetëror për administrimin e zgjedhjeve. KQZ u krijua në përputhje me Kodin Zgjedhor, por pa aplikuar rekomandimin e OSBE/ODHIR për depolitizimin e tij. Jemi të mendimit se gjatë veprimtarisë së tij ky organ ka manifestuar, në disa raste, qëndrime të njëanshme dhe të politizuara, si p.sh në kuadër të miratimit të numrit të zonave zgjedhore dhe mandateve për secilën prej tyre, si dhe në miratimin e vendimit nr. 503, datë 03.06.20133. Pozicionimi politikisht i anëtarëve të KQZ krijoi pamundësi vendimmarrjeje dhe si pasojë dy çështjet e para u zgjidhën, përkatësisht, nga Kolegji Zgjedhor dhe Kuvendi. Përsa i përket vendimit të tretë ai është kritikuar, si jo ligjor, si nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ata vendas, përfshi dhe K.Sh.H.

 

  • Siç dihet, anëtarët e KQZ-së propozohen nga partitë politike të shumicës dhe opozitës parlamentare dhe përfundimisht zgjidhen nga Kuvendi, duke bërë betimin përpara këtij organi. K.Sh.H mendon se anëtarët e KQZ janë të detyruar të veprojnë në mënyrë të pavarur e të paanshme, duke zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin. Në këtë kontekst ne kemi shprehur publikisht mendimin se nuk duhej t’i ndërpritej mandati, para kohe, anëtarit të KQZ-së të propozuar nga Partia LSI4 dhe i emëruar nga Kuvendi, sepse KQZ nuk duhet konceptuar dhe as të funksionojë, në asnjë rast, si organ politik. Kjo do të rrezikonte vendimmarrjen ligjore dhe të paanshme të tij, siç dhe ka ndodhur realisht.

 

  • Dorëheqja e tre anëtarëve të KQZ-së dhe mosgjetja e konsensusit politik e ligjor për zëvendësimin e tyre, ka shkaktuar një situatë shqetësuese për KQZ-në, duke e bërë të pamundur marrjen e vendimeve të rëndësishme, që kërkojnë një kuorum dhe shumicë të cilësuar pra, praninë e 5 anëtarëve në mbledhje dhe të paktën 5 vota “pro”. K.Sh.H vlerëson se kjo situatë mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme, e të rënda për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, certifikimin e tyre dhe arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet riparuar sa më parë.

 

  • Për procesin zgjedhor dhe zgjedhësit, në veçanti, përgatitja dhe publikimi i listave zgjedhore është me shumë rëndësi. Ne kemi monitoruar publikimin e ekstrakteve të përbërësve zgjedhor, që sipas ligjit duhet të shpalleshin çdo muaj, duke filluar nga 3 janari 2013. Nga verifikimet tona në vend, ekstraktet e sipërpërmendura, ose nuk u publikuan në afatin e caktuar, ose publikimi i tyre nuk u bë sipas mënyrës së parashikuar nga Kodi Zgjedhor. Për pasojë, konstatuam se zgjedhësit, masivisht, nuk kishin informacion rreth ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë, gjë që u vu re dhe nga ankesat e pakta administrative që ata parashtruan për të bërë korrigjimet e nevojshme në këto ekstrakte. Shumë shqetësime për përmbajtjen e ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë janë ngritur nga subjektet zgjedhore, duke pretenduar dublime, mungesa, pasqyrim në to të zgjedhësve të vdekur, ose mbi 100 vjeçar etj. Qëndrimet e njëanshme rreth këtij problemi, si nga ana e KQZ, nga Ministria e Brendshme dhe nga subjektet zgjedhorë dhe mungesa e një zgjidhjeje të gjithëpranuar, bënë që problematikat të transferohen edhe në listat përfundimtare të zgjedhësve, të cilat tashmë janë bërë publike

 

  • Një tjetër mosrespektim i ligjit, që lidhet me të drejtat e zgjedhësve, është mos njoftimi me shkrim i tyre, në banesë, në lidhje me përfshirjen në listat e zgjedhësve dhe për QV5 ku duhet të votojnë. Nga takimet me shtetasit, kontaktet me kryetarë të njësive të qeverisjes vendore dhe përgjegjës të zyrave të gjendjes civile, na rezultoi se ky detyrim ligjor u plotësua pjesërisht. Ministria e Brendshme nuk akordoi fondet përkatëse monetare, siç detyron ligji dhe për pasojë, edhe atje ku procesi u krye, nuk respektoi të gjitha kërkesat ligjore.

 

  •  Listat përfundimtare të zgjedhësve duheshin shpallur deri në datë 20 maj 2013. Pas kësaj date, korrigjimet në listë mund të bëhen vetëm nga gjykatat e rretheve. Për shkaqet e përmendura më lart dhe për arsye të veprimtarive të pakta të sensibilizimit me zgjedhësit, ka indicie dhe arsye të besohet se ka ende pasaktësi në listat e zgjedhësve dhe në mënyrë të veçantë, shqetësues është fakti se ende ka zgjedhës, që duke mos pasur adresë të saktë banimi, ose sepse QV e tyre ndodhet në një mjedis privat, pa adresë të saktë, nuk dinë ende se ku duhet të shkojnë për të votuar. Për këto arsye pritet që numri i ankesave drejtuar gjykatave të rritet. Për t’u ardhur në ndihmë zgjedhësve K.SH.H përgatiti një formular tip, që shërben për t’iu drejtuar gjykatës, të cilin e ka vënë në dispozicion të gjykatave të vendit.

 

  •  Ngritja dhe mirëfunksionimi i organeve të administrimit të zgjedhjeve, e të gjitha niveleve, është një element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në këtë kuadër shprehim shqetësimin se anëtarët e KZAZ-ve6, vazhdojnë ende të ndryshohen, ndonëse afati ligjor për ngritjen e këtyre organeve ka përfunduar më 23 Mars të këtij viti. Për pasojë ende ka KZAZ që nuk funksionojnë plotësisht, madje ka zyra që shpesh i gjen të mbyllura, ose nuk kanë kushtet e duhura fizike e materiale për të funksionuar si duhet.

 

  •  Nga 31 KZAZ të monitoruara nga KSHH7, 148 prej tyre deklaruan se funksiononin në mënyrë të rregullt dhe zhvillonin mbledhje në mënyrë periodike. Në 6 KZAZ9 ishte i pamundur kontaktimi i anëtarëve si rezultat i mosprezencës së tyre në ambientet ku duhet të ushtronin funksionin, ndonëse vëzhguesit e KShH-së shkuan rregullisht pranë ambienteve të tyre në datat. 4-5 Qershor. Ne u informuam se prej disa ditësh këto zyra nuk frekuentoheshin nga anëtarët e tyre  prej burimeve të tjera10 .

 

  •  Sipas Kodit Zgjedhor KZAZ-të, brenda datës 3 Qershor, duhet të emëronin anëtarët dhe sekretarët përkatës të KQV11-ve, por ky proces ende nuk ka përfunduar12. Sipas anëtarëve  të  KZAZ-ve  të  kontaktuar  arsyeja  ishte  mosnjohja  e  ligjit  nga  partitë politike dhe neglizhenca e tyre. Në KZAZ 35 aluduan se partitë politike  kishin strategji për të mbajtur të panjohur emrat e komisionarëve, me qëllim evitimin e presioneve të mundshme mbi ta. Në këto zgjedhje do të monitorojmë jo  vetëm ngritjen e KQV-ve, por dhe trajnimin e anëtarëve të tyre, veçanërisht për kohën dhe cilësinë e trajnimit. Kodi Zgjedhor ka pësuar ndryshime të gjera dhe mosnjohja si duhet e procesit të votimit, ose e kompetencave të KQV-së, mund të shkaktojë cenime të të drejtës së votës, ose dëmtim të procesit zgjedhor.

 

  •  Vendosja e QV në mjedise private, me vendim të KQZ, ka qenë një aspekt që në disa raste ka hasur kundërshtim. Kolegji Zgjedhor ka anuluar vendimin e KQZ në disa raste, duke i konsideruar jo në përputhje me ligjin caktimin e tyre nga KQZ.

 

  •  K.Sh.H e shikon të nevojshme të theksojë se fushata zgjedhore, ndonëse jo zyrtarisht, ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj. Ajo ka qenë e shoqëruar edhe me probleme. Sipas informacioneve që kanë ofruar mediet, por edhe nga informacioni që kemi marrë nga shtetas të ndryshëm, rezulton se administrata zgjedhore dhe institucionet arsimore, përfshi dhe nxënësit e mitur, janë përfshirë në aktivitete të fushatës, që zhvillohen brenda orarit zyrtar, ose gjatë kohës së mësimit, veçanërisht në rastin e inaugurimeve të objekteve të ndryshme të infrastrukturës, ose mitingje elektorale.

 

  •  Gjithashtu ka të dhëna se ushtrohet presion ndaj punonjësve të administratës shtetërore për të dalë në mitingje ose për të votuar në favor të partive të maxhorancës. Sjellje të tilla cenojnë lirinë e votës, cenojnë standardin e zgjedhjeve, por janë edhe të dënueshme penalisht.

 

  •  Standardet e Kopenhagenit dhe legjislacioni vendas përcaktojnë se propaganda zgjedhore duhet te jetë jo vetëm e ligjshme, por dhe e tillë që të mos cenojë të drejtat e njeriut dhe gjithmonë në shërbim të informimit të drejtë dhe të saktë të zgjedhësve. K.SHH. konstaton me keqardhje se fushata aktuale zgjedhore shoqërohet me tone agresiviteti dhe me incidente, të cilat sa vjen e bëhen më të rënda. Gjuha e urrejtjes është një karakteristikë tjetër e kësaj fushate. Te gjitha këto influencojnë negativisht në atmosferën që na rrethon dhe pengojnë zgjedhësit për të marrë qetësisht vendimin e tyre në lidhje me ushtrimin e të drejtës së votës.

 

  •  Neni 88 i Kodit Zgjedhor ndalon përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Mendojmë se subjektet zgjedhore, sidomos shumica qeverisëse, duhet të mbajë parasysh faktin se OSBE/ODHIR vazhdimisht ka artikuluar kritika për shfrytëzimin e inaugurimeve për qëllime elektorale, gjë që bie ndesh me paragrafin 5 të Dokumentit të Kopenhagenit të vitit 1990.

 

  •  Gjatë kësaj periudhe parazgjedhore K.Sh.H i ka kushtuar vëmendje të veçantë sensibilizimit  të  qytetareve  në  lidhje  me  pjesëmarrjen  në  votim,  duke  u  ndalur veçanërisht tek komuniteti rom, tek personat me aftësi të kufizuara, pakicat kombëtare dhe të rinjtë që votojnë për herë të parë. Nga ana tjetër, vërejmë se KQZ-ja nuk po zbaton si duhet detyrën e saj për edukimin ligjor të zgjedhësve. Me këtë rast u bëjmë thirrje medieve që të kontribuojnë sa më shumë lidhur me sensibilizimin e zgjedhësve, për t’i nxitur ata të marrin pjesë në votim dhe për të mos rënë pre e veprimeve korruptive me votën, sjellje që nuk kanë munguar edhe në këto zgjedhje.

 

  •  K.SH.H dhe partnerët e saj të “Koalicionit për Zgjedhje të lira e të Ndershme” janë të mendimit se në këtë situatë procesi zgjedhor vazhdon të shoqërohet nga  disa dilema, të cilat lidhen: 

  • Me mundësitë reale për të pasur lista të plota e të sakta të zgjedhësve dhe për t’u ofruar mundësi reale shtetasve të njihen paraprakisht me to, me qëllim që të evitohen sorollatjet, të mundësohet korrigjimi i listave nëpërmjet kërkesave në gjykatë, si dhe të evitohen presionet e zgjedhësve mbi KQV, kur nuk gjejnë emrin në listat përkatëse.
  • Me pjesëmarrjen sa më të gjerë të zgjedhësve në votim dhe mundësimin e ushtrimit lirisht të të drejtës së votës, pa presione dhe pa i detyruar të “shesin votën”.
  • Me konstituimin në afat, depolitizimin dhe mirëfunksionimin e organeve të administratës zgjedhore, bazuar në ligj e në parimet e procesit të rregullt e të ndershëm Dilema që lidhet me plotësimin e numrit të anëtarëve të KQZ është veçanërisht shqetësuese sepse vë në rrezik gjithë procesin zgjedhor, sepse ky është organi më i lartë shtetëror për administrimin e zgjedhjeve dhe i vetmi që mund të certifikojë ligjërisht rezultatin.
  • Me mundësinë e përdorimit të teknologjisë zgjedhore, të cilat nga provat e kryera kanë manifestuar vështirësi përshtatjeje me situatën e dokumentacionit që do të përdoret në zgjedhjet e 23 Organet kompetente duhet të marrin një vendim sa më parë në këtë drejtim
  • Me ruajtjen e qetësisë dhe të rendit deri në përfundim të dhënies së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, si dhe zhvillimin e kulturës së përgjegjshmërisë, që nënkupton dhe ndjekjen penale të kujtdo që shkel legjislacionin zgjedhor, ose nxit veprime të tilla.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
November
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
TOP