Të njohim Kodin e Procedurës Penale
Kallëzimi për kryerjen e një vepre penale


-Si vihet në dijeni prokurori ose policia për kryerjen e një vepre penale?

Prokurori merr dijeni për kryerjen e një vepre penale ose me iniciativën e vet, ose nga nëpunësit publikë, ose nga personeli mjekësor ose nga vetë shtetasit.

-Çfarë duhet kuptuar me shprehjen “nëpunës publik”?

Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se nëpunësit publikë të cilët gjatë ushtrimit të detyrave ose për shkak të funksioneve të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe në rastet kur nuk është individualizuar personi që dyshohet të ketë kryer vepër penale.

-Po për kallëzimin nga ana e shtetasve çfarë parashikon ligji?

Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Por ka raste që kallëzimi është i detyrueshëm. Kallëzimi duhet të bëhet në prokurori ose në organet e policisë.

-Në të gjitha rastet që bëhet kallëzimi a duhet të fillojë ndjekja penale?

Jo, këtë do ta vlerësojë prokurori. Ai mund të vendos mosfillimin e çështjes penale. Prokurori mund të vendosë gjithashtu dërgimin e çështjes për gjykim.

-Si mund të veprojë kallëzuesi ose ankuesi kur prokurori vendos mosfillimin e çështjes penale?

Kallëzuesi ose ankuesi duhet të njoftohet për këtë vendim të prokurorit. Ai ka të drejtë të ankohet në gjykatë brenda 10 ditevë nga njoftimi i vendimit. Nëse gjykata e refuzon ankimin ata kanë të drejtë që brenda 10 ditëve të ankohen në gjykatën e Apelit.

-Këtë të drejtë a e kanë edhe nëpunësit publik?

Sigurisht që po. Në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale bëhet fjalë për kallëzimin nga nëpunësit. Pra edhe ata janë kallëzues.

-Po nëse prokurori vendos pushimin e çështjes si veprohet?

Kur procedohet për kundravajtje penale dhe prokurori vendos pushimin e akuzës, ky vendim brenda 5 ditëve duhet ti njoftohet të pandehurit, mbrojtësit të tij, viktimës, ose trashëgimtarëve të saj si dhe personat që kanë bërë kërkesën ose ankimin, të cilët kanë të drejtë të ankohen në gjykatë.

-Po kur hetimi për kryerjen e një krimi që ka filluar prokurori a mund të vendosë pushimin e akuzës ose të çështjes?

Jo në këtë rast ai duhet ti kërkojë gjyqtarit të seancës paraprake pushimin e akuzës ose të çështjes. Kërkesa e prokurorit i njoftohet të pandehurit, mbrojtësit të tij, viktimës, ose trashëgimtarëve të saj. Kur identiteti dhe vendbanimi i tyre dihet si edhe personit që ka bërë kallëzim ose ankim ku përfshihet edhe nëpunësi publik. Personat e mësipërm kanë të drejtë të njihen me aktet dhe provat madje edhe të marrin kopje të tyre. Personat e mësipërm brenda 5 ditëve njoftohen nga gjykata për datën dhe orën e gjykimit. Kundër vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake mund të bëhet ankim në gjykatën e Apelit.

-Kodi i Procedurës Penale a parashikon raste kur ndjekja penale mund të fillojë vetëm në bazë të ankimit të viktimës?

Po, ka edhe raste të tilla. Mund të përmendim psh marrëdhëniet seksuale me dhunë, shkelja e paprekshmërisë së banimit, marrëdhëniet homoseksuale duke shpërdoruar detyrën, plagosje me dashje, kanosje, fyerje e gjyqtarit etj. Për këto vepra penale prokurori nuk mund të fillojë çështjen penale me iniciativën e vet.

-Në cilat raste i dëmtuari mund të ankohet direkte në gjykatë?

Në nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale që titullohet “viktima akuzues” parashikohen disa vepra penale që viktima ka të drejtë të paraqesë kërkesën në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit. Si vepra të tilla në ligje përmenden: rrahja, dhe çdo vepër tjetër dhune, plagosja e rëndë nga pakujdesia, plagosja e lehtë nga pakujdesia, dhunimi i banesës, fyerja, ndërhyrja e padrejtë në jetën private etj.

-Po prokurori a merr pjese në gjykimin e këtyre çështjeve?

Po, merr pjesë dhe sipas rastit kërkon dënimin ose pafajësinë e të pandehurit. Por pavarësisht se prokurori mund të kërkojë pafajësi dhe gjykata të pranojë kërkesën e prokurorit, viktima akuzues ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
October
MoTuWeThFrSaSu
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
TOP